Në skenën e vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës, fundjavën që iku, u promovuan dy libra të poetes Drita Ademi. Për “Vesë mbi dhimbje” dhe “Andrra e gjethe”, u zgjodhën fjalë të veçanta, ndërsa salla mblodhi miq dhe familjarë të shumtë të saj, shkruan Kosova Post.
Poeti dhe kritiku i njohur Adem Gashi, në fjalën e tij të rastit, thuri elozhe për vargun e Dritës, ndërsa nuk e la pa e thumbuar edhe “armatën e redaktorëve”, siç e quajti ai, tek vëllimi “Andrra e gjethe”:
“Lexoj në frontespic: Botues: Irena Toçi, Kryeredaktore: Sonila Kapo. Redaktorë: Primo Shllaku – Anrila Spahija, Korrektore letrare: Majlinda Bami, Përkujdesja grafike: Elsa Hajderaj. A justifikohet prania e gjithë kësaj armate në këtë libër? Duke i njohur një për një them se jo.
Libri ka dy linja paralele, 49 poezi (në gegnisht) dhe 52 (në standardin letrar) e që janë po ato. I bie se janë 101 poezi. Në variantin gegnisht gjej jo pak trajta të rrëshqitshme të standardit dhe formulime të diskutueshme të dialektit. Hove-hove edhe thyerje vargu dhe pasaktësi interpunksioni. Këtu qëndron vërejtja për botuesin” – vuri në duke Gashi.
Por këto “rrëshqitje trajtash” sipas Ademit, nuk e rëndojnë poeten, por redaksinë… Për vetë atë dhe krijimtarinë e saj përgjithesisht, pati fjalë lavdëruese:
“T’ju them që në fillim se di shumë pak nga biografia e Dritës, po di relativisht shumë nga bibliografia e saj. Jemi miq qëkur në rrjetet sociale, aty ku së pari kam lexuar poezitë e saja, dhe kur e kur i kam shoqëruar edhe me komente. Di për botimin e saj “Placebo” në anglisht, për botimet në gjermanisht e frëngjisht, për çmimet letrare në gjermanisht e të tjera. Nga e gjithë kjo ju them se Drita, bashkë me tri poetesha të tjera, krijuese në botën e mërgimit (nuk më duket i saktë termini disaporë) përbëjnë kuartetin e madh në fushën e poezisë. Kam parasysh, Reshida Çobën në Amerikë, Entela Tabakun në Suedi dhe Ardita Jatru-në në Greqi. Ju mund të thoni se ç’konstatim i guximshëm! Mund të thoni edhe se ç’konstatim i çmendur! Unë nuk po i vë pikë.”
Ndërsa zhytej më thellë në materien poetike të poetes Drita Ademi, ai iu referua edhe disa poezive, të cilat e kishin impresionuar që në herën e parë:
“Kur ma lavdëronin dikur miqtë e mi poezinë time dhe më thoshin është̈ antologjike, unë përgjigjesha: Nëse në jetën time bëj një të tillë ndihem i përmbushur. Në librin e Dritës gjej nja dhjetë a njëmbëdhjetë të tilla, antologjike pra. E veçoj poezinë Dialog me Azem Shkrelin, Flokët nuk po më thinjën, A e njihni nanën time, Ulqin, Toka e diellit, Era e dhimbjes, Vdekja me za t’naltë, Iku baba, Eja të vdesim nga dashunia, Ora 10.43’ dhe Dimën.”
Edhe poeti Imer Topanica e lavdëroi poezinë e Dritës, duke ia njohur asaj mjaft vlera unike.
“’Vesë mbi dhimbje’ është një titull që e nxitë lexuesin sqimatar për ta kërkuar e shfletuar atë. Përherë i kam çmuar librat e kësaj natyre, titujt e të cilëve përbëhen nga fjalë ose togfjalësha të cilët e bartin atë që Borhesi e identifikon si ‘enigma e poezisë’. Duket që e mistershmja përherë ka funksionuar si një ushqim i kërkuar për lukthin e kureshtjes së lexuesit të letërsisë. Prandaj duhet lavdëruar poetët të cilët kanë bërë një zbulim radikal në këtë drejtim, që në krye të herës. Poetja Ademi duket që te ky libër, ka ofruar varietete të tilla tekstesh poetike” – u shpreh Topanica.
Ai e lavdëroi poeten Ademi, ndërsa për referencë kishte librin “Vesë mbi dhimbje”.
“Mua më duket që te ky libër, metaforat si figura stilistike, sikur e përndjekin. Titulli ‘Vesë mbi dhimbje’ e dëshmon këtë.
‘Exit’, ‘Zonja Brigitta’, ‘Më vjen keq…’ janë poezi që e hapin librin. Nëpërmjet tyre, si lexues, hetoj temperamentin e veçantë të autores. Varietetet, po ashtu, janë të shumëllojta. Nga ato me shumë ngarkesa stilistike që janë ftesë për lexues më të rryer, e deri tek ato që ndërtohen mbi një gjuhë të thjeshtë, ndërsa vihen në shërbim të ideve më filozofike.”
Përndryshe, Drita Ademi – Beqiri është lindur në Prishtinë, por jeton dhe vepron në Zvicër. Ajo është autore edhe e vëllimit ‘Placebo‘, botuar në Londër më 2011, ndërsa ka marrë pjesë në disa antologji gjermane./KosovaPost/