Liderët e Koalicionit “Lista për Familjen” kanë vizituar Odën Ekonomike të Kosovës dhe Shoqatën e Pensionistëve në kuadër të fushatës zgjedhore.
Selim Pacolli, së bashku me Visar Korenicën dhe Bejtush Gashin, u takuan me kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna.
“Në këtë takim, u diskutua për zhvillimet ekonomike të vendit dhe për rëndësinë e përkrahjes së prodhimeve vendore. Të dyja palët ishin të një mendimi se shteti i Kosovës duhet të ofrojë më shumë mbështetje për prodhuesit vendorë. Rafuna theksoi disa prej sfidave kryesore me të cilat përballen bizneset vendore, përfshirë mungesën e fuqisë punëtore”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, Pacolli ka thënë se sipas plan programit të tyre, parashihet krijimi i një gjykate ekonomike, e cila do të lehtësojë zhvillimin ekonomik të vendit.
Visar Korenica theksoi se do të fokusohen në rritjen e kapaciteteve të punësimit dhe mbështetje për prodhimin vendës.
Ndërkaq te Shoqata e Pensionistëve, ata diskutuan për rëndësinë e mbrojtjes dhe përkrahjes së pensionistëve në vend. Korenica theksoi se koalicioni i tyre do të luftojë për të mbrojtur institucionin e familjes dhe për të kundërshtuar çdo përpjekje që mund të dëmtojë këtë institucion të shenjtë.
E drejtuesit e Shoqatës së Pensionistëve shfaqën si shqetësim paraqitjen e pensionistëve çdo gjashtë muaj, një praktikë që ata e konsiderojnë si një pengesë të madhe.
Koalicioni “Lista për Familjen” premtoi se ky vendim do të eliminohet, duke siguruar që ky proces të jetë më i thjeshtë dhe më i drejtë, si pjesë e planit qeverisës të koalicionit.