Lista Serbe, parti politike e serbëve të Kosovës, njoftoi sot se kërkon nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq që të pezullojë dialogun me Prishtinën derisa “kryetarët fiktivë të Kurtit” të tërhiqen nga veriu i Kosovës, transmeton Kosova Post.
Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, në konferencën e sotme për media në Mitrovicën e Veriut, deklaroi se populli serb është i shqetësuar për aksionin “e dhunshëm” të forcave speciale të Policisë së Kosovës në komunat e Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.
“I çojmë lutje, kërkesë, apel, presidentit tonë Vuçiq dhe gjithë lidershipit shtetëror që menjëherë të pezullohet çdo pjesëmarrje e mëtejshme e Beogradit në dialogun me Prishtinën. Ne konsiderojmë se çdo bisedë e mëtejshme me Prishtinën në rrethanat aktuale nuk është vetëm e palogjikshme, por edhe kundërproduktive”, theksoi Rakiq.
Ai tha se vazhdimi i bisedimeve me “regjimin e Kurtit, pas terrorit të djeshëm, do t’i dërgonte mesazh se një veprim i tillë është fitimprurës”.
Rakiq tha se kërkojnë që vendimi për pezullimin e dialogut të anulohet vetëm kur Prishtina të tërheqë të gjitha njësitë speciale të Policisë së Kosovës nga veriu dhe të largohet nga ndërtesat e administratave komunale në veri të Kosovës.
Kryetari i Listës Serbe kritikoi edhe KFOR-in, për të cilin tha se nuk ka reaguar. Rakiq shtoi se sot do të kontaktojë komandantin e KFOR-it dhe do t’i kërkojë që punëtorët që kanë punuar në komunë të kthehen në vendet e tyre të punës, dhe ata që “sulmuan dhe uzurpuan dje komunën me njësi speciale, të largohen nga ajo ndërtesë”.
Njësitet speciale të Policisë së Kosovës të premten hynë në objektet e komunave të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, për t’u mundësuar kryetarëve të sapozgjedhur hyrjen në objektet komunale.
Gjatë realizimit të aksionit për hyrjen në objektet e vetëqeverisjes lokale në Zveçan, pjesëtarët e policisë u përleshën me demonstruesit e nacionalitetit serb të cilët tentuan t’ua pengojnë hyrjen. Policia përdori gaz lotsjellës për t’i shpërndarë.
Në njoftimin e policisë thuhet se qytetarët kanë qenë të dhunshëm dhe se ndaj policëve kanë hedhur sende të ndryshme të forta dhe granata zhurmuese, ndërsa lëndime të lehta kanë pësuar pesë policë dhe janë dëmtuar veturat zyrtare.
Disa automjete civile u dëmtuan, duke përfshirë automjete të gazetarëve, si dhe tri vetura të misionit EULEX.
Gjithashtu, në disa raste janë dëgjuar të shtëna në lokacione të ndryshme.
Policia e Kosovës po tha se persona dhe grupe të caktuara kriminale, përveç sulmeve ndaj zyrtarëve dhe veturave, kanë tentuar të bllokojnë rrugë të ndryshme, por policia ka marrë masa për largimin e barrikadave dhe pastrimin e rrugëve në bashkëpunim dhe koordinim me autoritetet kompetente.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE-ja dënuan veprimin e institucioneve të Kosovës për të hyrë me forcë në ndërtesën e komunës dhe i bënë thirrje kryeministrit Albin Kurti që menjëherë të ndalojë këto masa të dhunshme dhe të rifokusohet në dialogun e udhëhequr nga BE-ja./aa