Ministri i Jashtëm rus Sergei Llavrov njoftoi se nesër në Istanbul do të mbahet një takim i delegacioneve ruse dhe amerikane për të diskutuar mbi punën e ambasadave.
“Diplomatët dhe ekspertët tanë të lartë do të takohen dhe do të diskutojnë problemet sistematike që janë grumbulluar si rezultat i aktiviteteve të paligjshme të administratës së mëparshme amerikane për të krijuar pengesa artificiale për aktivitetet e ambasadës ruse, ndaj së cilës ne, natyrisht, u kundërpërgjigjëm dhe krijuam kushte të pakëndshme për punën e ambasadës amerikane në Moskë”, u tha Llavrov gazetarëve në Doha.
“Rusia dhe Katari mbështesin përparimin drejt krijimit të një shteti palestinez, ndërsa e shohin zhvendosjen e palestinezëve në rajon si një bombë e kurdisur”, tha Llavrov.
Llavrov gjithashtu hodhi poshtë mundësinë e vendosjes së trupave evropiane në Ukrainë, duke thënë se presidenti francez Emmanuel Macron kishte keqinterpretuar deklaratat e presidentit amerikan Donald Trump.
Ai shtoi se Trump sugjeroi se një veprim i tillë mund të ishte i mundur me pëlqimin e të gjitha palëve, por pëlqimi i Rusisë nuk u kërkua kurrë.


























