Derisa lufta e Rusisë kundër Ukrainës ka hyrë në ditën e nëntë, kriza vazhdoi të lë plagë në ish-shtetin sovjetik, raporton Kosova Post.
Administratat e shumë qyteteve dhe rajoneve pretendojnë për viktima civile në sulmet e forcave ruse, megjithëse këto nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur për shkak të shtetrrethimit dhe dëmtimit të rrjeteve të komunikimit dhe transportit.
Më poshtë janë qytetet dhe territoret që janë identifikuar si shënjestra nga forcat ruse:
Chernihiv
Dje, zonat e civilëve në qytetin Chernihiv në veri të Ukrainës thuhet se ishin në shënjestër të sulmeve ruse. Në rrjetet sociale, Administrata Shtetërore Rajonale njoftoi se trupat ruse nisën një sulm me raketa në një zonë banimi shumëkatëshe në qendër të qytetit.
Në njoftimin e administratës së qytetit thuhet se si pasojë e granatimeve janë dëmtuar disa ndërtesa banimi, janë thyer dritaret, janë shkatërruar muret, çatitë dhe ballkonet.
“Nuk ka asnjë objekt ushtarak aty pranë. Aty pranë ka spitale, disa shkolla dhe kopshte, dhjetëra ndërtesa të larta”, tha Administrata Shtetërore Rajonale.
Sipas Shërbimit Shtetëror të Emergjencave, numri i personave që humbën jetën nga një sulm ajror në një zonë të banuar në Chernihiv është rritur në të paktën 22 persona, ndërkohë përpjekjet e shpëtimit vazhdojnë.
Kreu i Administratës Shtetërore Rajonale së qytetit Chernihiv, Vyacheslac Chaus, tha se në trupat nise goditën me raketa një zonë banimi në qendër të qytetit Chernihiv.
Sipas tij, nga bombardimet ruse të paktën nëntë persona kanë humbur jetën dhe katër të tjerë janë plagosur.
Dy shkolla të qytetit dhe shtëpi private janë shkatërruar plotësisht në lagjen Stara Podusivka të qytetit.
Kriza humanitare në Mariupol
Në qytetin port Mariupol, që ndodhet në juglindje të Ukrainës në rajonin Donetsk, nuk ka energji elektrike, ujë apo ngrohje.
“Pushtuesit dëmtuan infrastrukturën kritike. Qyteti Mariupol mbetet nën kontrollin e Ukrainës, por bombardimet e armikut vazhdojnë”, njoftoi kryebashkiaku Vadym Boychenko në një kanal të Këshillit të Qytetit në aplikacionin ‘Telegram’.
“Sot ishte dita më e vështirë dhe më brutale nga të gjitha shtatë ditët e luftës. Sot donin të na shkatërronin”, shkroi Boychenko, duke shtuar se mbi 100 civilë u plagosën si rezultat i bombardimeve në Mariupol.
“Shtëpi lindjeje dhe dhjetëra shtëpi private u dëmtuan rëndë. Një shkollë dhe një konvikt për emigrantët u shkatërruan. Rusët organizuan një terror të vërtetë të përbashkët. Qyteti Mariupol nuk do të harrojë dhe nuk do ta falë (presidentin rus, Vladimir Putin). Fashistët e Putin-it duhet të ndalohen”, tha Boychenko.
Kharkiv
Të mërkurën vonë, raportohet se trupat ruse bombarduan qytetin lindor Izyum në rajonin Kharkiv. Sipas zv/kryebashkiakut Vladimir Matsokin, forcat ruse kryen sulme masive ajrore mbi qytetin.
Matsokin pretendoi se të paktën nëntë persona, përfshirë një fëmijë, humbën jetën si pasojë e sulmeve. Ai theksoi se ushtria ruse nisi një sulm në mesnatë, me shumicën e raketave që ranë në pjesë e banuara të qytetit
Sipas tij, bombardimet dëmtuan një ndërtesë shumëkatëshe dhe pronë private, përderisa qendra e qytetit Izyum u shkatërrua së bashku me ndërtesën e shkollës ‘No. 4’.
Sulme ajrore mbi një fshat në rajonin Kharkiv
Rreth mesnatës, forcat ruse kryen një sulm ajror në fshatin Yakovlivka në rajonin Kharkiv.
Sipas kreut të komunitetit Merefa në Ukrainën lindore, Veniamin Sitov, katër civilë humbën jetën, 11 u plagosën dhe 11 u evakuuan si rezultat i sulmit.
Sitov pohoi se në Yakovlivka nuk ka objekte ushtarake apo infrastrukturë të madhe, duke shtuar se fshati kishte dy dyqane, një shkollë, një kopsht fëmijësh, një klub dhe një ambulancë.
Zyra e Prokurorit të rajonit Kharkiv pretendoi se bombardimi goditi të gjithë fshatin, duke dëmtuar 45 shtëpi dhe dukë shkatërruar plotësisht 21 prej tyre.
Granatimet e qytetit turistik
Drejtoria e Shërbimit Shtetëror të Emergjencave të Ukrainës njoftoi se forcat ruse sulmuan me raketa qytetin turistik Zatoka në rajonin Odessa.
Nga granatimet nuk pati viktima.
Drejtoria e emergjencave theksoi se disa pjesë të qytetit dhe disa objekte civile u dëmtuan./aa