Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu, ka njoftuar se Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe Minoriteteve në Beograd ka paralajmëruar anulimin e subvencioneve për bujqit shqiptarë atje. Lidhur me këtë, Lutfiu ka kritikuar një veprim të Alternativës për Ndryshim (APN). Ai thotë se kjo parti rrezikon mbështetjen e qindra bujqve shqiptarë të Luginës.
Para disa ditësh sipas tij, saktësisht me 11 nëntor po kjo parti i ka dërguar shkresë Ministrisë për të Drejtat e Njeriut dhe Minoriteteve në Beograd përmes së cilës i ka njoftuar se Këshilli Kombëtar Shqiptar ka hapur konkurs për subvencionimin e kulturave bujqësore (nga Fondi i Republikës së Kosovës për shqiptarët e Luginës).
“Pas kësaj shkrese, dje na është drejtuar me një shkresë Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe Minoriteteve ku kërkon nga KKSH që në afat prej 8 ditësh t’i përgjigjemi se në cilën dispozitë ligjore jemi thirrur lidhur me hapjen e konkursit për subvencionimin e kulturave bujqësore, dhe në të njëjtën kërkesë Ministria kërcënon se në rast se KKSH nuk e anulon vendimin atëherë vetë Ministria do ta bëj. Unë nuk anuloj asnjë vendim sepse me vetëdije të plotë kam ndërmarr çdo veprim me qëllim që t’i mbështesim familjet shqiptare të vendit tonë të cilat mbijetojnë prej këtij sektori”, ka shkruar Lutfiu.
Sipas tij, ky veprim i APN-së rrezikon që qindra bujq shqiptarë të mbesin pa mbështetje.
“Hipokrizia e madhe qëndron në faktin se disa nga akterët e APN vetë kanë aplikuar për të përfituar nga ky konkurs. Në afatin e përcaktuar do t’i përgjigjemi Ministrisë”, ka shkruar ai.
Për këto zhvillime Lutfiu e ka njoftuar edhe Qeverinë e Kosovës. Ai ka theksuar se në rast se ky proces bllokohet nga Ministria, do të kërkojnë masa reciprociteti.
“Në vitin 2024, Qeveria serbe ka ndarë rreth 139 milionë euro për serbët në Kosovë, ndërsa sinjalet (veprimet) janë që 1 milion euro, i dedikuar për bujqit shqiptarë të Luginës të bllokohen. Do të luftojmë deri në fund!”, ka shkruar tutje Lutfiu.