Kryetari i Kuvendit të Kosovës ka përkujtuar masakrën e Krushës së Madhe dhe Krushës së Vogël, ku ka thënë se liria mbetet e shtrenjtë si sakrifica e tyre sublime, përcjell KosovaPost.
Konjufca është shprehur se këta martirë përkujtohen me dhimbje të ngulitur thellë në zemër, ata që dhanë jetën e tyre në rrugën e gjatë dhe të stërmundimtë të popullit tonë për liri. Ata janë sakrifica dhe dhimbja që e bëri të mundur atë.
Tutje, ai ka shkruar se Serbia na ka lënë dhimbjen e krimeve që bëri mbi njerëzit tanë, pa dallime moshe e gjinie, por me dallim etnie: të gjithë të masakruar ngase ishin shqiptarë dhe të gjithë të paarmatosur.
“Ajo na ka lënë edhe dhimbjen e rëndë të mungesës së dyfishtë, me të vrarë e të zhdukur dhunshëm, trupat e të cilëve Serbia akoma refuzon t’ua zbulojë vendndodhjen. Ky mohim është po aq çnjerëzor sa krimet kundër njerëzimit që i kreu në Kosovë dhe tregon se akoma nuk ka ndryshuar diçka në qasjen e saj që prej fushatave gjenocidale të Millosheviqit”, ka thënë ai.
Ai po ashtu ka thënë se mirënjohja dhe përkulja me respekt i drejtohen atyre që ranë për t’u bërë dritë e pashuar, për të bërë rrugën të qartë e të ndriçuar.
“Teksa Republika e Kosovës vazhdon të ecë e sigurt drejt zhvillimit e përparimit të vazhdueshëm, mirënjohjen dhe përkuljen me respekt i drejtojmë atyre që ranë për t’u bërë dritë e pashuar, për të na e bërë rrugën tonë të qartë e të ndriçuar. Lavdi martirëve të Krushës së Madhe dhe Krushës së Vogël, që mbeten të gjallë në zemrat tona e të paharrueshëm në përjetësi!”, ka shkruar Konjufca.