Numri i njerëzve që vdiqën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shkak të pandemisë arriti në 420.363 dhe numri i të infektuarve në 25.200.500. “Nëse 70 deri 85% e amerikanëve vaksinohen deri nga mesi ose fundi i verës, ne mund të kthehemi disi në normalitet andej nga vjeshta”, deklaroi Anthony Fauci, kryekëshilltar i Presidentit Joe Biden për Shëndetësinë, transmeton Kosova Post.
Në Itali, ku humbjet e jetëve nga COVID-19 shkuan në 84.202 dhe numri i rasteve në 2.428.221, Komisari i Furnizimit të Emergjencave të Kryeministrisë, Domenico Arcuri, përgjegjës për logjistikën gjatë luftës kundër pandemisë, bëri me dije se vaksinimi në vend është ngadalësuar ndjeshëm për shkak të vonesave në shpërndarjen e vaksinave.
Spanja raportoi se 404 njerëz të tjerë kanë humbur jetën nga COVID-19 në 24 orët e fundit duke e çuar në 55.041 totalin e viktimave në vend. Në të njëjtën periudhë, numri i të infektuarve shkoi në 2.456.675, nga të cilat 44.357 janë raste të reja, numri më i lartë që nga fillimi i pandemisë. Mes rasteve të reja pozitive të ditës së fundit rezulton edhe Zinedine Zidane, trajner i Realit të Madridit. Në kuadër të fushatës së vaksinimit kundër llojit të ri të koronavirusit, e cila filloi më 27 dhjetor 2020 në këtë vend, numri i personave të vaksinuar deri më tani është mbi 1.200.000. Kurse administrata autonome e Madridit kritikoi Ministrinë e Shëndetësisë me arsyetimin se “vaksinat kanë mbaruar” dhe njoftoi pezullimin e fushatës deri në ardhjen e vaksinave të tjera.
Numri i vdekjeve nga COVID-19 në Portugali arriti në 9.686 dhe ai total i rasteve në 595.149. Si pasojë e përshkallëzimit të rasteve, të gjitha shkollat në vend, me përjashtim të atyre fillore, do të mbyllen për 2 javë duke filluar nga 25 janari. Kufizime të mëtejshme do të ketë gjithashtu në oraret e punës së bareve, restoranteve dhe qendrave tregtare.
Në Francë, ku 71.998 njerëz kanë gjetur vdekjen deri më sot për shkak të pandemisë, ministri i Shtetit për Çështjet Evropiane, Clement Beaune, deklaroi se dorëzimi i vaksinës antiCOVID të zhvilluar bashkërisht nga kompania farmaceutike amerikane “Pfizer” dhe ajo gjermane “BioNTech do t’i kthehet normalitetit më 25 janar. “Angazhimet e bëra duhet të respektohen. Përndryshe mund të ketë ndëshkime ose sanksione”, theksoi ai.
Polonia njoftoi se viktimat për shkak të koronavirusit janë tashmë 34.908 dhe të infektuarit 1.464.448. Në mostrën e gjakut të një pacienti në rajonin e Malopolskës u zbulua për herë të parë në vend prania e mutacionit që përhapet më shpjet.
Në Ekuador, shtet i Amerikës Latine, vaksina e zhvilluar bashkërisht nga kompania farmaceutike amerikane “Pfizer” dhe ajo gjermane “BioNTech kundër COVID-19 u aplikua për herë të parë në kryeqytetin Kuito. Qeveria deklaroi synimin për të vaksinuar 43.000 punonjës të shëndetësisë në spitalet publike dhe private në fazën e parë. Në këtë vend janë infektuar me koronavirus gjithsej 236.189 persona deri më tani dhe 14.526 prej tyre kanë gjetur vdekjen.
Viktimat nga COVID-19 në disa vende të tjera janë si më poshtë:
Brazili 214.228, Meksika 146.174, Mbretëria e Bashkuar 94.580, Gjermania 51.229, Kolumbia 50.187, Argjentina 46.355, Peruja 39.274, Ukraina 21.662, Belgjika 20.620, Kanadaja 18.622, Kili 17.702, Rumania 17.628 dhe Çekia 15.130.AA