Nga Washingtoni, zyrtarë të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit, në një përgjigje për RTK-në deklaruan se punët për zbatim të programit kompakt, më i madhi ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara për Energji, po shkojnë sipas planit, një vit pas nënshkrimit. Pritjet e MCC-së janë që puna të nisë në prill të vitit të ardhshëm e që ka një periudhë të zbatimit të rreptë në 5 vitet e ardhshme.
Punimet për zbatimin e programit kompakt të nënshkruar ndërmjet Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit dhe Qeverisë së Kosovës nis në prill të vitit 2024. Deri atëherë po punohet në periudhën përgatitore 18 mujore. Kështu i është përgjigjur RTK-së MCC nga Washingtoni.
MCC tregon se gjatë këtij afati kohor po punohet për punësimin e personelit, ngritjen e zyrave të MCA-Kosovë dhe nisjen zyrtare të kompaktit.
– Pika më e fundit e Kompaktit ndodhi më 25 korrik kur u mbajt takimi inaugurues i bordit të Llogarisë së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCA-Kosovë).
– Programi Kompakt ka 3 projekte: 1) Projekti i ruajtjes së energjisë, 2) Projekti i përshpejtimit të tranzicionit të drejtë dhe të barabartë (JETA) dhe 3) Objekti i Katalizatorit Amerikan për Zhvillim (ACFD).
– Projekti për ruajtjen e energjisë synon ta mbështesë sigurinë energjetike të Kosovës dhe tranzicionin drejt një të ardhmeje më të pastër energjie. Projekti përfshin mbështetjen e sistemeve të ruajtjes së baterive që do t’i mundësojnë sistemit të transmisionit dhe operatorit të tregut të Kosovës të zbutin me kosto efektive zhbalancat në rrjetin elektrik, mbështetjen e një entiteti publik të ruajtjes së energjisë dhe forcimin e mjedisit rregullator të sistemeve të ruajtjes së energjisë, projekteve të energjisë së rinovueshme, dhe menaxhimin e ndryshimeve klimatike në një mënyrë më të qëndrueshme dhe përfshirëse gjinore.
Pas lansimit të Kompaktit, Grantet e MCC-së kanë një afat kohor të rreptë 5-vjeçar për t?i zbatuar tri projektet. Granti 202 milionë dollarësh sigurohen nga MCC, ndërsa pjesa tjetër prej 35 milionë eurove duhet të sigurohen nga Qeveria e Kosovës. Kjo marrëveshje është e ratifikuar në Kuvendin e Kosovës.


























