Shkruan: Faton Gashi
Duke filluar që nga profetët e parë, është e gjatë lista e atyre që, pasi kanë bërë të dëgjohet zëri i tyre për një të vërtetë, kanë paguar me lirinë e tyre, por edhe me jetë, këtë vokacion njerëzor.
Nuk ka asnjë dyshim. Edhe sot, injoranca e turmës do të kryqëzonte Krishtin, do ta gjuante me gurë Muhametin a.s ose do të dënonte Sokratin, sepse masat indiferente e lënë veten t’i rrëmbejë rrjedha e gënjeshtrës.
Në fund e vërteta del në skenë, por e keqja është se shpesh gënjeshtra shkatërron gjithçka dhe ndonjëherë të gjithën.
Ajo që më shtyn ta shkruaj në vijim, nuk është
“Mbrojtja e Sokratit” , e cili ishtë e zgjuar dhe përplot argumente, por fati i tij.
“Mbrojtja e Sokratit” e bazuar në tekstin e Platonit është interesante, sepse tema si koncepti i pabesisë dhe karakteri i akuzuesve të tij është aktuale edhe sot.
Aty, afër gjysma e diskutimit të tij flet për rreziqet që has ai që dëshiron të thotë të vërtetën në botën e politikës:
“…. qytetarë të Athinës, ajo që do të më dënojë mua, nëse më dënon, nuk është Melotosi apo Anitos, por shpifjet e shumë njerëzve dhe zilia e tyre. Kjo tashmë ka dënuar shumë njerëz të tjerë të mirë dhe mendoj se kështu do të jetë edhe në të ardhmen. Epo, nuk ka rrezik që të ndalet tek unë. Ndoshta dikush do të thoshte: “A nuk të vjen turp, Sokrat, që je dhënë pas një profesioni të tillë, nga i cili tani rrezikon të humbasësh kokën?”. Unë do t’i përgjigjesha një njeriu të tillë me fjalë të duhura:
Nuk po flet me mençuri, o njeri! Nëse mendon se një njeri, edhe nëse pak përfiton nga diçka, duhet të llogarisë në rreziqet e jetës ose vdekjes dhe nuk ka pse të shikojë vetëm në atë se ai në punën dhe veprimet e tija bën mirë apo keq.
Sepse, të paktën sipas gjykimit tuaj, të gjithë ata gjysmëhyni që vdiqën para Trojës do të kishin qenë budallenj, si të gjithë të tjerët edhe djali i Thetisit, të cilët aq e përbuznin rrezikun vetëm për t’mos qenë nën turp.
Kur ai digjej nga dëshira për të vrarë Hektorin, nëna e tij, hynesh, diçka të tillë, më duket i tha: “Bir, nëse hakmerresh për vdekjen e mikut tënd Patrokli dhe vret Hektorin, do të vdisesh edhe vetë. ngase,” thotë ajo,
“Pas Hektorit, fat i njëjtë edhe ty të pret”.
Edhe pse e dëgjoi këtë, ai përsëri pak vëmendje i kushtoi vdekjes dhe rrezikut. Ai kishte më shumë frikë të jeton si frikacak dhe të mos hakmerrej për miqtë e tij, kështu që tha:
“Le të vdes menjëherë, sapo të dënoj fajtorët ”
Zaten ai as që mendoi për vdekjen dhe rrezikun.
… qytetarë të Athinës, kështu qëndron e vërteta: kudo që dikush e vendos veten dhe kudo që ai gjykon se është më mirë, ai duhet të qëndrojë aty, dhe jo duke i kushtuar vëmendje vdekjes ose ndonjë gjëje tjetër, përveç turpit.
…edhe sikur të më thoshit: “Sokrat nuk do t’i besojmë Anitos, po të lëmë të shkosh, por me kusht që të mos përfshihesh më në bisedime dhe të largosh nga mëndja përkushtim tënde për mençurinë; po të kapim edhe një herë në një kuvendim të tillë, me siguri do të humbasësh kokën”;
– nëse, pra, siç thashë, do të më lironit nga akuzat me atë kusht, unë do t’ju përgjigjesha: “Unë, qytetarë të Athinës, ju vlerësoj shumë, por do t’i bindem Zotit më shumë se ju, dhe përderisa ka frymë në mua dhe për sa kohë që kam forcën, nuk do të ndalem së hetuari të vërtetën, duke ju këshilluar dhe duke ju mësuar…”
Qytetarët e lirë të Athinës, d.m.th turma demokratike, e cila nuk i kuptonte fare meritat, nuk dinin fare se për çfarë po diskutohej, e dënoi Sokratin me vdekje. Nuk është për atë që bëri apo që mendonte, por e dënoi gjendja shpirtërore e llumit shoqëror.
Sokrati e pranoi vendimin me qetësi, pastaj shkoi për t’i dhënë lamtumirën gruas dhe në fjalët e saja: “Burrë, të kanë dënuar të pafajshëm”, ai u përgjigj me fjalinë e famshme:
“A nuk është më mirë, sesa të dënohesh i fajshëm”?