Nga Fadil Pushkolli
Amerika respektohet dhe admirohet nga shqiptarët dhe ne mund ta llogarisim veten mes miqve më të mirë të SHBA-së në botë, por ka disa përjashtime, pozicionet e tyre si vende që janë miq ose armiq të SHBA-së mund të ndryshojnë brenda natës.
Kosova nuk ka asnjë ndonjë detyrim që të pranojë çdo kërkesë acaruese që bëhet nga SHBA dhe BE.
Njerëz të afërt me presidentin Trump dhe këshilltarët e tij thonë se ai ka një axhendë radikale globale për mandatin e tij të dytë, nga Ukraina në Lindjen e Mesme, duke ushtruar presion mbi miqtë e Amerikës.
“Mund të jetë e rrezikshme të jesh armik i Amerikës, por është vdekjeprurëse të jesh mik i Amerikës”.
Kjo është një thënie e famshme nga Henry Alfred Kissinger, i cili ishte Sekretar i Shtetit i SHBA nga 1973 deri në 1977.
Kissinger luajti një rol të rëndësishëm në politikën e jashtme amerikane në fillim të viteve ’70. Ai mori Çmimin Nobel për Paqe në vitin 1973, veçanërisht për rolin e tij në përfundimin e ndërhyrjes së SHBA-së në Luftën e Vietnamit. Ashtu siç tha në thënien e tij të famshme, në këtë luftë SHBA braktisi “miqtë” e saj, vietnamezët e jugut. Kur SHBA-të nuk kishin interes për të zgjatur luftën, i lanë në fatin e tyre. Shumë udhëheqës të Vietnamit të Jugut vdiqën në mërgim, disa në tokën amerikane.
E njëjta qasje e braktisjes së “miqve” vazhdoi edhe në vitet në vijim.
Një trashëgimi e keqe
Për një kohë të gjatë, bota është ndarë mes superfuqive. Kjo atmosferë politike ishte veçanërisht e dukshme gjatë dhe pas Luftës së Ftohtë. Në këtë kontekst, është e kuptueshme që vendet dhe fuqitë e vogla të përpiqen të jenë miq dhe partnerë me superfuqitë.
Veçanërisht, akterët në rajonet e krizave janë më të gatshëm për të marrë vendime të tilla.
Dhe duke marrë parasysh politikën e mbizotërimit global të SHBA-së, është bërë më e zakonshme të shohim të tilla “miqësi të detyruara”.
Në fund të fundit, Shtetet e Bashkuara kanë ndjekur rrugën dhe interesat e veta. Nuk i interesonte “besnikëria ndaj miqve”. Shumë prej miqve të tij politikë në këto skena janë zhdukur në koshin e plehrave të historisë pasi kanë humbur mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.
Për t’iu kundërvënë Kinës dhe Rusisë, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj perëndimorë do të kenë nevojë për disa aleatë, partnerë dhe “miq”. Me sa mund të mendoj dhe kuptoj, nuk ka asnjë vend që mund ta quajmë rehat aleat të Shteteve të Bashkuara, me përjashtim të Izraelit, Mbretërisë së Bashkuar, dhe ndoshta Gjermanisë. Megjithatë, nëse flasim për “miq”, ka shumë prej tyre.
Sidomos këto ditë, vende si Ukraina dhe Tajvani, të cilat përballen me kërcënime nga Kina dhe Rusia, janë të detyruara të bëhen “miq” me Shtetet e Bashkuara për të ruajtur pavarësinë e tyre. Për shembull, ne mund të shikojmë situatën e Ukrainës përballë Rusisë. Një e treta e territorit vitale janë pushtuar dhe Rusia kërcënon të pushtojë më tej Ukrainën. Për vende si Ukraina dhe Tajvani, ekzistojnë tre opsione:
– Të jesh një shtet satelitor i Rusisë/Kinës
– Të qenit i okupuar prej tyre
– Ose hyrja në një “miqësi vdekjeprurëse” me SHBA
Siç mund ta marrim me mend, ata zgjodhën opsionin e tretë. Por duke gjykuar nga situata aktuale, mendoj se SHBA-ja nuk ka asnjë iniciativë serioze për të shpëtuar “miqtë” e saj nga Rusia dhe Kina.
Nëse SHBA-ja vazhdon me këtë koncept të “miqësisë vdekjeprurëse” dhe braktis “miqtë” kundër “armiqve”, është e dënuar të pësojë disfatë në frontet e saj të reja, në Evropën Lindore dhe në Paqësorin Perëndimor. Dhe në vitet e ardhshme, vendet lokale në kufi me sferat e ndikimit Rusi/Kinë mund të zgjedhin këto superfuqi të reja në vend të miqësisë vdekjeprurëse të Shteteve të Bashkuara. Në fund të fundit, kjo do të dëmtonte rëndë hegjemoninë e SHBA-së.


























