58 ulëse të rezervuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës, do të përkthehen në një stabilitet politik, faktor ky i munguar në skenën politike kosovare të pasluftës. Disa mund të thonë se historia parlamentare e republikës sonë, ka njohur shumica parlamentare edhe më të mëdha, por dallimi është se ato janë përbërë prej disa subjekteve politike, e për rrjedhojë, disa vizioneve politike, (për të mos thënë interesave). Kësaj radhe Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, do ta kenë të lehtë ta mbyllin një mandat qeverisës të plotë, pa kriza politike, e për më tepër edhe për ta siguruar një tjetër mandat pas tij. Por…
Shkruan: Imer Topanica
Në të gjithë sektorët e shtetit ka nevojë për ndërhyrje mbase edhe radikale. Por qytetarët e Kosovës presin rezultate të dukshme veçmas në dy sosh: në drejtësi dhe ekonomi. Lufta e pakompromis ndaj krimit të organizuar, korrupsionit dhe nepotizmit, duhet të jap rezultate. Dikush mund të thotë se, tek sistemi i drejtësisë, qeveria nuk ka “doreza” për të ndërhyrë, duke qenë ai një pushtet në vetvete. E vërteta është se këtij pushteti, deri më tani, i kanë munguar vetë “dorezat”, duke qenë i ngulfatur nga politika. Qeveria e ardhshme mund të bëjë shumë në këtë drejtim, duke iu futur një detektimi të thellë të sistemit, nëpërmjet Vettingut.
Në “Qeverinë Kurti I”, iniciativa për kryerjen e procesit të vettingut në sistemin e drejtësisë, ka ekzistuar. Natyrisht ajo pat mbetur në embrion, pa pasur mundësi të marr një fizionomi të qartë. Ka pasur zëra që ish ministrja Albulena Haxhiu, nuk e pat nisur këtë punë me këmbë të mbarë. Atëbotë kontestohej kredibiliteti profesionalë i njerëzve me të cilët ajo synonte ta hidhte hapin e parë drejt realizimit të këtij premtimi. Andaj, Qeveria Kurti II, nuk duhet t’i përsërisë gabimet e kësaj natyre.
Ringjallja ekonomike, ngritja e mirëqenies së qytetarëve të republikës, nuk mund të ndodhë, pa funksionimin e mirë të sistemit të drejtësisë. Skandalet e fundit në të cilat u përfshinë zyrtarë të lartë të Ministrisë së Bujqësisë dhe jo vetëm, janë shembuj të qartë, që e ilustrojnë më së miri këtë konstatim. Fjala vjen, qeveria në ikje, përkatësisht Qeveria Hoti, në kuadër Programit për Rimëkëmbje Ekonomike i pat ndarë 12 milionë euro për subvencione në bujqësi. Por tashmë prapa grilave ndodhen dhjetëra ish-zyrtarë, si të dyshuar për mashtrim, pikërisht me subvencione. Pra qytetarët e Kosovës nuk janë përballur me vështirësi ekonomike për arsye se shteti nuk ka pasur mjaftueshëm buxhet, por më shumë për shkak se buxheti nuk është ndarë në mënyrë të drejtë.
Akoma më i rëndësishëm se këta sektorë, është ai i arsimit. Por për ta përmirësuar gjendjen në sistemin e arsimit, duhen më shumë se dy mandate. Rezultatet e mira në këtë sektor do të vijnë ngadalë.
Sistemi i arsimit, nuk i vuan pasojat e keqqeverisjeve të këtyre dy dekadave të pasluftës, por edhe të mësimit nëpër “shkolla – shtëpia” të paraluftës.
Një plan reformues i menduar mirë, afatgjatë, që nisë nga literatura e sistemit para-universitar, që përfshinë korrikulat dhe përfundon tek një strategji e ngritjes së kuadrove të reja, do të jetë i domosdoshëm.
Literatura shkollore, është një ndër problemet më të mëdha të sistemit arsimor, veçmas atij parauniversitar. Afro 9 milion euro i ndanë Ministria e Arsimit për tekstet e nxënësve. Janë dy shtëpi botuese që zakonisht i fitojnë tenderët: Shtëpia Botuese Dukagjini dhe Libri Shkollor. Vetëm një libër i matematikës (po e zëmë për klasën e 4-tërt), mund të shitet deri në 30 mijë kopje brenda një viti shkollor. Autorët dhe recensentët e kontraktuar nga këto shtëpi botuese, janë pothuajse të njëjtit gjatë tërë këtyre viteve. Por edhe problemet (duke filluar nga ato ortografike), që përsëriten në këto tekste, po ashtu janë të njëjta… pse të mos kenë të drejtë të konkurrojnë edhe autorë të tjerë? Shtëpi botuese të tjera dhe të shtohet konkurrenca (e për rrjedhojë edhe kualiteti)?
Opinioni publik në vijimsi është bombarduar me skepticizma se, sikurse qeveritë e tjera, edhe kjo do të bie shkaku i bisedimeve me Serbinë. Se presioni ndërkombëtar do t’ia imponon qeverisë së ardhshme një skenar të atillë, të cili ajo nuk do të mund ta kapërdijë, por, duke qenë që prirem kah optimizmi, besoj që për këtë gjë Kurti dhe Osmani, e kanë menduar një strategji që nuk do t’i lë në baltë.
Edhe në fushat e tjera si: shëndetësia, kultura etj, mund të bëhet shumë punë. Por qytetarët kanë votuar për një qeveri që i trajton në mënyrë të barabartë, prandaj kjo do t’ua sigurojë atyre dy mandate qeverisëse. Pa dyshim!