Merr mbështetje nisma e Konjufcës për Projektligjin e KPK-së

Nisma e kryeparlamentarit për të kërkuar opinion nga Komisioni i Venecias lidhur me projektligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës është vlerësuar hap i drejt nga ky organizëm por edhe nga shoqëria civile.

Në Këshillin Prokurorial të Kosovës thonë se miratimi i ligjit të ri është vazhdim i procesit të njëanshëm të Qeverisë, i cili minon bashkëpunimin. Ndërsa, nga Ministria e Drejtësisë thonë se Projektligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës është punuar në përputhje me rekomandimet e Venecias dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të shpallur antikushtetues Ligjin nr.08/L-136 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, Qeveria synon miratimin e ligjit të ri që mundëson ndryshimet në KPK. Projektligji i ri të cilin ekzekutivi e dërgoi për procesim në Kuvend, do të trajtohet nga Komisioni i Venecias, pas kërkesës së kryeparlamentarit Glauk Konjufca për një opinion në lidhje me projektligjin në fjalë.

Radio Kosova ka pyetur Ministrinë e Drejtësisë se si e shihni nismën e kryeparlamentarit për të kërkuar opinion nga Komisioni i Venecias dhe a besoni se Projektligji për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial do të marrë dritën jeshile për miratim.

“Për sa i përket dërgimit të Projektligjit për KPK-në nga ana e kryetarit Konjufca, kjo çështje mbetet në diskrecionin e kryetarit të Kuvendit se si ka vlerësuar, por ne e vlerësojmë që versioni i ri i Projektkigjit për KPK-në është punuar në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë.

Lavdim Makshana, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë për Radio Kosovën se është lajm i mirë që kryeparlamentari ka kërkuar opinion nga Komisioni i Venecias për projektligjin që synon ndryshime në Këshillin Prokurorial. Sipas tij, projektligji i propozuar nga Qeveria ka norma antikushtetuese.

“Në projektligjin e miratuar nga Qeveria, pas ndryshimeve të bëra nga Ministria e Drejtësisë, nuk janë adresuar të gjitha vërejtjet të cilat i ka dhënë Komisioni i Venecias dhe dispozitat në fjalë ku anëtarëve aktualë të KPK-së, do t’u shtohen edhe tetë anëtarë jo prokurorë, bie në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, Strategjinë për sundimin e ligjit dhe opinionet e Komisionit të Venecias”, tha ai.

Edhe nga Këshilli Prokurorial i Kosovës thonë se mirëpresin nismën e Konjufcës për të kërkuar opinion për ligjin nga Komisioni i Venecias.

“KPK-ja mirëpret nismat e ndryshme dhe natyrisht edhe Opinionin e radhës së Komisionit të Venecias lidhur më Projektligjin e ri të KPK-së dhe përkrah secilin opinion dhe angazhim të mekanizmave vendorë dhe ndërkombëtarë, të cilët bazohen në standardet më të larta të funksionimit adekuat dhe duke marrë për bazë moscenueshmërinë e mandatit kushtetues të sistemit prokuroria”.

Tutje, në përgjigjen e KPK-së për Radio Kosovën thuhet se “miratimi i Ligjit të ri të KPK-së nga Qeveria e Kosovës është një iniciativë e njëanshme e Qeverisë për ta bërë edhe një projektligj jashtë vendimit të Gjykatës Kushtetueses. Miratimi i Ligjit të ri për KPK-në është vazhdim i procesit të njëanshëm të Qeverisë së Kosovës, i cili minon bashkëpunimin për procesin e reformës”.

Projektligji i ri për KPK-në u miratua nga Qeveria pasi ligji paraprak për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për KPK-në u shpall kundërkushtetues, pas kërkesave për vlerësim të kushtetutshmërisë së këtij ligji nga deputetët e Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

 

Të ngjajshme

AlbanianBosnianEnglishGermanTurkish