Ambasadori i Palestinës në Tiranë, Sami Mhanna, ka thënë se vendosja e selisë së Ambasadës së Kosovës në Kuds në vitin 2021, është arsyeja kryesore pse Palestina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës të shpallur më 17 shkurt 2008, transmeton Anadolu.
Në një intervistë për mediat në Shqipëri, ambasadori palestinez tha se shumë shpesh ai është pyetur për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe se është i vetëdijshëm për mbështetjen e shqiptarëve ndaj Palestinës.
“Palestina, apo qeveria palestineze, nuk ka asgjë me popullin e Kosovës. Ne kemi marrëdhënie të mira me të gjithë. Por, që kur Kosova vendosi ambasadën e saj në Kuds, në 2021, ne e konsiderojmë atë shkelje të hapur të ligjit ndërkombëtarë. Kjo është arsyeja pse Palestina nuk e njeh Kosovën”, theksoi Mhanna.
I pyetur se nëse Kosova e tërheq ambasadën e saj në Kuds, a do ta njihte Palestina shtetin e Kosovës, ambasadori tha se ky do të ishte një veprim i mençur.
“Kurrë nuk i dihet, ky do të ishte një vendim i mençur sepse Kudsi është një territor i pushtuar dhe ne kemi marrëdhënie të mira me të gjithë. Vendi juaj ka marrëdhënie diplomatike me Serbinë për vite me radhë dhe kjo nuk ka prekur asgjë dhe ne si shtet palestinez jemi të detyruar të kemi marrëdhënie të mira me të gjitha shtetet. Por, kjo është arsyeja kyçe: vendosja e ambasadës në Kuds”, theksoi ambasadori.
Lidhur me qëndrimin e Shqipërisë në forumet ndërkombëtare, ku shpesh është pozicionuar në mënyrë neutrale ndaj çështjes palestineze, ambasadori u shpreh i zhgënjyer.
Ambasadori shtoi se do të dëshironte që shqiptarët të flisnin më shumë për çështjen palestineze dhe të tregonin më shumë solidaritet.
























