Ministrat e Jashtëm të Gjermanisë dhe Francës do të takojnë liderin e ri të Sirisë, Ahmed al-Sharaa, gjatë një udhëtimi në vend të premten në emër të Bashkimit Evropian, thanë ministritë e jashtme të Gjermanisë dhe Francës.
Ministrat, të cilët mbërritën ndaras në Damask të premten në mëngjes, do të takojnë gjithashtu përfaqësues të shoqërisë civile siriane dhe do të vizitojnë burgun më të njohur të Sirisë, kompleksin masiv të Sednayas, sipas ministrive të jashtme, raporton Reuters, transmeton Klankosova.tv.
“Udhëtimi im sot së bashku me kolegun tim francez dhe në emër të BE-së është një sinjal i qartë për sirianët: Një fillim i ri politik midis Europës dhe Sirisë, midis Gjermanisë dhe Sirisë, është i mundur”, tha Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock, sipas një deklarate të ministrisë e cila u lëshua para se ajo të nisej për në Damask.
Baerbock dhe Ministri i Jashtëm francez Jean-Noel Barrot janë ministrat e parë nga BE që vizitojnë Sirinë që nga marrja e kontrollit të Damasakut nga rebelët më 8 dhjetor dhe largimi i Presidentit Bashar al-Assad pas më shumë se 13 vjetësh luftë civile, duke përfunduar sundimin dekadash të familjes së tij.
Barrot shprehu shpresën e tij “për një Siri sovrane, stabile dhe paqësore” pas mbërritjes në Damask, ku ai gjithashtu vizitoi ambasadën franceze, e cila është mbyllur që nga viti 2012.
Sipas burimeve diplomatike franceze, Barrot u takua me stafin sirian që kujdesej për objektet dhe riafirmoi nevojën për të punuar drejt rivendosjes së përfaqësimit diplomatik në përputhje me kushtet politike dhe të sigurisë.
Që nga përmbysja e Asadit, rebelët islamistë të udhëhequr nga Hayat Tahrir al-Sham (HTS) e Sharaa-s kanë kërkuar të sigurojnë shtetet arabe dhe komunitetin ndërkombëtar se ata do të qeverisin në emër të të gjithë sirianëve dhe nuk do të eksportojnë revolucionin islamist.