Ministri i Mbrojtjes së Gjermanisë, Boris Pistorius tha se pas rënies së regjimit Baath, Türkiye është bërë një aktor shumë më i rëndësishëm në Siri, raporton Anadolu, transmeton KosovaPost.
Pistorius në kuadër të vizitës së tij në Irak, pas takimit të tij me kryeministrin e Administratës Rajonale Kurde në veri të Irakut (ARK), Nechirvan Barzani në Erbil, bëri deklarata në lidhje me rajonin.
Duke rikujtuar se në luftën kundër organizatës terroriste DEASH i japin mbështetje Irakut, ai tha se do të vazhdojnë të mbështesin Irakun dhe ARK-së kundër DEASH-it.
“Pas tërheqjes së Iranit dhe Rusisë nga Siria, Türkiye si një shtet i NATO-s në rajon u bë një aktor shumë më i rëndësishëm. Do të bisedoj me zyrtarët turq për këtë temë (Sirinë)”, tha Pistorius për zhvillimet në Siri.
Në deklaratën me shkrim të Kryesisë së ARK-së lidhur me takimin mes Barzanit dhe Pistoriusit, thuhet se palët kanë biseduar për zhvillimet e fundit në Siri, efektet e mundshme në misionin e koalicionit ndërkombëtar kundër DEASH-it, situatën e përgjithshme në Irak dhe marrëdhëniet e Gjermanisë me Irakun dhe ARK-në.
Më tej në deklaratë theksohet se Barzani ka falënderuar Gjermaninë për mbështetjen e saj ndaj Irakut dhe ARK-së, ndërsa Pistorius ka shprehur angazhimin e vendit të tij për ndihmën ndaj Irakut dhe ARK-së.
Gjermania vendosi të zgjaste mandatin e ushtarëve të saj që shërbejnë në Irak në kuadër të luftës kundër organizatës terroriste DEASH deri më 31 janar 2026. Sipas vendimit, numri i ushtarëve është kufizuar në maksimum 500.