Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka bërë të ditur se sot në Bled të Sllovenisë është pritur nga homologia e saj, Tanja Fajon, përcjell KosovaPost.
Vet ministrja Gërvalla ka shpërndarë disa fotografi në profilin e saj Facebook.
“Në Forumin Strategjik të Bledit në Slloveni, me ftesë të homologes sime sllovene, Tanja Fajon”, ka shkruar ajo.
Gërvalla, në Forumin e Bledit, do të paraqesë përkushtimin e Republikës së Kosovës për të luajtur një rol aktiv dhe konstruktiv në avancimin e strategjive rajonale dhe globale për paqe, siguri dhe stabilitet.
“Ministrja Gërvalla gjatë paneleve dhe takimeve do të theksojë përparimin që Kosova ka arritur në përmbushjen e kushteve në procesin e integrimeve euroatlantike, reformat e thella në sundimin e ligjit, avancimin e demokracisë dhe zhvillimin ekonomik. Ministrja Gërvalla do të nënvizojë gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit multilateral për të adresuar dhe tejkaluar sfidat globale, duke pozicionuar Kosovën si një partner të besueshëm të shteteve demokratike dhe të përkushtuar në skenën ndërkombëtare”, ka thënë MPJD në njoftimin për shkuarjen e Gërvallës në Bled.