Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, thotë se investimet që janë bërë në Klinikën e Gjinekologjisë, janë për t’u duartrokitur.
Ndërsa vlerëson domosdo investimin në këtë klinikë, Haxhiu sshprehet se transformimi ishte i domosdoshëm për fëmijët që vijnë në jetë.
“Deri më sot Klinika e Gjinekologjisë ka qenë ambient i cili kërkonte transformim të domosdoshëm si për nga nevojat e fëmijëve që vijnë në jetë, po ashtu edhe për lehonat”, ka thënë ministrja Haxhiu.
Ajo ndërkohë ka kujtuar momentet e saj në klinikë si paciente, duke shtuar se “tri herë si paciente e kësaj klinike ka parë nga afër kushtet e rënda, sfidat e nevojat e pacientëve dhe të stafit mjekësor”.
“Ishte kënaqësi e veçantë sot ta shoh nga afër transformimin e kësaj klinike. Infrastrukturë moderne e hapësira të pastra. Në dhomat e Gjinekologjisë nuk do të vendosen më më shumë se dy lehona. Mjetet dhe kushtet e përmirësuara në punë do ta shtojnë edhe angazhimin e stafit shëndetësor”, ka thënë ministrja e Drejtësisë.