Rritja drastike e çmimeve të produkteve të mishit ka varfëruar dukshëm tryezat e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut. Shumica prej tyre tashmë nuk mund të blejnë as gjysmën e asaj që kanë blerë si sasi mujore e mishit për familjet e tyre.
Adnan Abdullahu i cili punon për 40 vite në industrinë e mishit thotë se s’ka parë asnjëherë shtrenjtime të tilla trefish më të larta. Me bindje thotë se mishi është bërë luks për shumicën e qytetarëve.
Pavarësisht se punon në mishtore, ai nuk arrin ta mbushë me mish as tryezën e familjes së tij.
Aktualisht çmimi i mishit të vicit është 10 euro kilogrami. Qytetarët e intervistuar nga Euronews Albania thonë se me vështirësi arrijnë të sigurojnë mish një herë një javë, por ka edhe të tillë që nuk arrijnë të blejnë fare.
Bizneset e industrisë së mishit po ashtu kanë pasur vështirësi për shkak të mungesës së blerjeve, ndërsa kanë kërkuar ndihmë nga qeveria dhe lehtësime doganore për importim të disa produkteve.