Mjekët në Gaza kanë shpëtuar një foshnjë nga barku i nënës së saj, ndërsa ajo po vdiste nga lëndimet në kokë të marra në një sulm ajror izraelit.
Vajza lindi si rezultat i një prerje cezariane urgjente në një spital në Rafah.
Nëna e foshnjës, Sabreen al-Sakani, ishte 30 javë shtatzënë kur shtëpia e saj familjare u godit nga një sulm ajror.
I shoqi, Shoukri dhe vajza e tyre trevjeçare, Malak, gjithashtu vdiqën.
“Ne ia dolëm të shpëtonim foshnjën”, tha për Sky News Ahmad Fawzi al-Muqayyad, një mjek në spitalin e Kuvajtit në Rafah.
“Nëna ishte në gjendje shumë kritike. Truri i saj ishte i ekspozuar, kështu që ne shpëtuam një nga të dy”, shtoi ai.
Të dielën, foshnja shtrihej duke u përpëlitur dhe duke qarë në një inkubator në njësinë neonatale të spitalit aty pranë Emirateve.
Etiketa rreth kyçit të dorës mbante emrin e nënës së saj të vdekur.
Foshnja do të qëndronte në spital për tre deri në katër javë, tha Dr Mohammad Salama, kreu i njësisë, për agjencitë e lajmeve të dielën.
Gjyshja e foshnjës, Mirvat al-Sakani i tha Associated Press se ajo do të kujdesej për të.
“Ajo është një kujtim i babait të saj. Unë do të kujdesem për të. Ata nuk kanë të bëjnë me asgjë. Pse po i synojnë ata? Nuk e dimë pse, si? Ne nuk e dimë”, u shpreh nëna e babait të foshnjës.
Të paktën dy të tretat e më shumë se 34 mijë palestinezëve të vrarë në Gaza që nga fillimi i kësaj lufte kanë qenë fëmijë dhe gra, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të territorit, shkruan The Guardian, transmeton kk.