Sulmi i Bajnskës ishte një prej temave që u përmend në një panel diskutimi në Forumin e Dubrovnikut, ku pjesëmarrës ishin ministra të rajonit. Nikola Stojanoviq, sekretar i Minsitrisë së Punëve të Jashtme serbe, nuk foli shumë mbi këtë, ani se gazetari Michael Martens ia bëri disa pyetje.
Pyetja që ia bëri Martens atij fillimisht, ishte si vijon:
“Do të doja të isha shumë i drejtpërdrejtë, ne kemi një fajtor që e ka pranuar këtë, z.Milan Radojiciq. Që ka përfaqësuear partinë e qeverisë serbe në Kosovë, anise ka një emër tjetër. Ai ka pranuar që ka kryer këtë sulm vdekjeprurës, që ka qenë pas tij.
Epo, u bënë gati një vit dhe nuk kemi parë ndonjë veprim nga gjyqësori, çka mund të presim në këtë, çka do të ndodhë?
Apo është ky njeri në një shtet, dhe nëse ju nuk e konsideroni Kosovën si të pavarur, dhe e konsideroni pjesë të juajën, nëse dikush merr armë dhe predha dhe vranë zyrtarë policorë, duhet të ketë një reagim nga gjyqësori, apo jo?”.
Politikani serb nisi të flas për shtetin e tij, duke treguar për rritjen e ekonomisë e duke pretenduar se duan paqe e stabilitet në rajon.
“Në përgjithësi, duhet të them që prioriteti i lidershipit serb është stabiliteti në rajon. Kjo nuk është vetëm një frazë, në 10 vitet e fundit kemi pasur një rritje në ekonomi. Dhe e gjithë kjo nuk do të ishte e mundur pa paqe dhe stabilitet në rajon. Ne kemi interes që ta mbajmë politikën e njëjtë. Tani kemi një agjendë shumë ambicioze.” – tha ai.
Më pas, Stojanoviq nisi të pretendonte se serbëve në Kosovë po u shkelen të drejtat e njeriut dhe se po kryhen krime ndaj tyre.
Megjithatë, Martens ia shtroi edhe një herë pyetjen, duke i thënë se e la të fliste pasi “është moderator, jo diktator”.
“Thatë më lini të flas më gjatë, ju lejova, jam moderator, jo dikator, por më lejoni të them sërish, është një qytetar i juaj, Milan Radojiciq, ka kryer një krim të madh, sipas kuptimit tuaj, në shtetin tuaj, kundër qytetarëve tuaj, por kur dhe si mendoni që duhet gjyqësori të reagojë, sepse deri më tani, s’ka pasur reagim?” – tha ai.
Politikani serb u përgjigj duke thënë se gjyqësori është i ndarë nga ekzekutivi, dhe sipas tij, institucionet e drejtësisë kanë reaguar menjëherë.
“Institucionet e drejtësisë kanë reaguar, siç e dini, menjëherë një muaj pas ngjarjeve në Bajnskë, kështu që duhet të lëmë institucionet të ndjekin procedurat siç po bëjnë tani.” – tha ai.