Sot në Kosovë pritet të mbajë mot me diell dhe vranësira lokale të herëpashershme. Reshjet atmosferike do të jenë më të rralla dhe më të izoluara, ndërkohë që temperaturat shënojnë rritje të lehta dhe ajo maksimale parashihet rreth 25 gradë Celsius.
Reshje paksa më intensive lokale mund të ketë orëve të mbrëmjes.
Mot paksa më ndryshe parashihet në Republikën e Shqipërisë. Mëngjesi dhe paraditja e nxehtë dhe kryesisht me diell. Pasdite dhe në mbrëmje zhvillime dhe dendësime masive të vranësira dhe priten rrebeshe lokalisht intensive shiu me vetëtima, bubullimë dhe breshër në disa zona. Rrebeshe intensive priten edhe gjatë orëve të natës sidomos në juglindje të Shqipërisë, lokalisht edhe në disa zona tjera.
Më të pakta pritet të jenë zhvillimet e vranësirave të shiut të shtunën në Maqedoninë Veriore, Luginë të Preshevës dhe Mal të Zi, megjithatë edhe në këto vende pasdite vonë parashihen rrebeshe të izoluara shiu me vetëtima, bubullimë dhe breshër. Më së shumti rrebeshe shiu priten në Shqipëri, por duke mos përjashtuar edhe Dukagjinin në Kosovë.
E diela një ditë mjaft jo-stabile, me intervale kohore me diell dhe zhvillime të fuqishme të vranësirave konvektive që do të kushtëzojnë rrebeshe lokale shiu me vetëtima, bubullimë dhe mundësi për breshër.
Fillimi i javës së re me intervale me diell, ndërkohë që rrebeshet lokale do të vazhdojnë orëve të pasdites dhe mbrëmjes.