Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka reaguar pas incidentit me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani në Aeroportin e Shkupit, transmeton KosovaPost.
Siç thuhet në reagimin e këtij institucioni, sot rreth orës 10:00 në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, teksa presidentja Osmani po kalonte kontrollin kufitar, në momentin kur asaj iu kërkua që telefonin ta kalonte përmes skanerit, një person nga sigurimi i saj është larguar nga punonjësja e TAV-së, me qëllim që ajo të kalonte pa telefon të skanuar dhe bagazh dore.
“Por më pas bagazhi u kthye dhe kaloi përmes një skaneri. Pas gjysmë ore erdhi një person nga sigurimi i kryetarit të Kuvendit Gashi (polic) me dy persona të tjerë (polic) dhe filluan të kërcënojnë punëtorët e TAV-së dhe të pyesin se kush i ka shkaktuar problem presidentes. Në të njëjtën kohë ka shtyrë edhe një punonjës policie që punonte në pikën kufitare”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme të Maqedonisë së Veriut.
Theksohet se menjëherë është njoftuar Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminale dhe Standarde Profesionale dhe se po merren masa për zbardhjen e rastit.
Lidhur me këtë incident këshilltari për media i Presidentes Bekim Kupina, ka thënë se në kundërshtim me çdo praktikë ndërkombëtare zyrtari i aeroportit ka tentuar të ia marrë telefonin personal e më tej ka tentuar fizikisht ta shtyjë Presidenten me ç’rast është detyruar që të reagojë Policia e Kosovës për ta hapur rrugën.