Ministri i Financave, Hekuran Murati, i ka reaguar kandidatit për kryeministër të LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili ka premtuar se në javën e parë të qeverisjes së tij, koeficienti i pagave do të jetë 150 euro.
Murati tha se Neni 22/C i Ligjit për Financa Publike, që sipas tij, është miratuar në vitin 2016 në kuadër të programit që Qeveria Mustafa kishte me FMN-në asokohe, e përcakton që rritja e pagave në një vit fiskal nuk mund të tejkalojë rritjen ekonomike.
“Prandaj edhe premtimet për koeficientë 150 euro s’ka se si të konsiderohen ndryshe përveç se si humor i pashije. Sepse rritja e pagave mund të bëhet vetëm aq sa është rritur ekonomia, jo më shumë. Kjo është e përcaktuar qartë në ligj”.
“Fati e do që me qeverisjen tonë për këto 4 vite kemi pasur rritje ekonomike të qëndrueshme, e cila na ka mundësuar që pagat t’i rrisim për 3 vite radhazi, prejse ka hyrë në fuqi ligji i pagave”, tha Murati, transmeton KosovaPost.
Më tej, Murati tha se “fakti se ekonomistët e LDK-së” po garojnë me ide e premtime sikurse “ato të AAK-së, tregon se ku është katandisur kjo parti”.
“Lumiri së paku e ka mundësinë të konsultohet me Deputetin Hoti, i cili ka qenë edhe Ministër i Financave në kohën kur Neni 22/C i Ligjit për Financa Publike ishte miratuar”, tha Murati.