Ka vazhduar përplasja nga distanca mes ministrit të Financave, Hekuran Murati me ish-ministren Hykmete Bajrami.
Murati i ka reaguar shpejt deputetes së LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila më herët publikoi një përgjigje që e kishte marrë si kryetare e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik më 10 shtator të këtij viti, sipas kërkesës për të dhëna që ish-ministrja e Financave kishte rreth kontratave të lidhura nga të gjitha organizatat buxhetore nëpërmjet procedurës së negociuar, në periudhë mars 2021 – shtator 2024.
Murati këtë e konsideron zmbrapsje të Bajramit.
“Nga qëndrimi i mëparshëm se “kontratat me procedurë të negociuar janë të paligjshme dhe hajni”, Hykmetja tani vetëm paska treguar që e ka pyetur KRPP-në dhe ata i janë përgjigjur duke i dhënë shifrat për numrin dhe vlerën e kontratave të negociuara. Këto të dhëna i kam shfaqur edhe unë, madje jo veç për periudhën 2021-2024, por që prej 2008-s’, shkroi ai.
Por, sipas tij dallimin e kanë tek fakti se ai i thotë që kontratat e negociuara parashihen me nenin 34 dhe 35 të Ligjit të Prokurimit Publik, prandaj s’ka asgjë të paligjshme, dhe as nuk mund të etiketohen si hajni, e për ish-ministren dhe një pjesë të opozitës, “kontratat e negociuara janë të paligjshme dhe hajni”.
“Urdhëro pra Hykmete, na trego se në cilat kontrata keni vjedhur në vitin 2015, kur ju keni qenë ministre, dhe 16.1% e vlerës së kontratave të nënshkruara atë vit kanë qenë me procedurë të negociuar, meqenëse kontratat e tilla sipas teje qenkan hajni. Skena për ty!”, ka shkruar Murati.