Ministri i Financave, Hekuran Murati, në seancën e Kuvendit të Kosovës, ka kërkuar votim të marrëveshjeve ndërkombëtare në mënyrë që Kosova të shfrytëzojë të mirat materiale.
“Janë diku rreth 300 milionë euro vlerë të marrëveshjeve ndërkombëtare, që po presin dritën e gjelbër të ratifikimit nga ky Kuvend. Po kërkoj që si Kuvend ta kryeni obligimin, në mënyrë që të mundësohet përdorimi i tyre”, ka thënë ai.
Murati në kundërpërgjigje për gjendjen e të punësuarve në sektorin privat, ka përmendur rritjen e numrit të inspektorëve e ligjin për pagën minimale, mbështetjen e bizneseve si hapa të Qeverisë për përmirësim të kushteve të punës.
“Numrin e inspektorëve të punës e kemi dyfishuar, trendi është që të ketë rekrutime të reja. Janë mbi 60 inspektorë të punës, kurse kanë qenë 27 kur e kemi marrë mandatin”, ka thënë Murati.
“Përgjigjen e mora kuantitative, por asnjë informatë që ndërlidhet me gjendjen e punëtorëve që punojnë në vikend, me orare të gjata, që kanë rrezikshmëri në punë”, ka thënë deputeti Besnik Tahiri nga AAK pas deklarimit të ministrit.