Ish-kryetari i Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Serbi, Ragmi Mustafi, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Serbisë, e cila ka refuzuar ankesën e Safet Demirit nga Medvegja për kthimin e adresës së tij.
Mustafi, në një postim në Facebook, tha se vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Serbisë për Safet Demirin e shndërron në normë një praktikë diskriminuese dhe sistematike si pasivizimi i adresave, që ka në shënjestër shqiptarët e Luginës së Preshevës.
Sipas tij, ky vendim është një shuplakë për të drejtat themelore të njeriut dhe një “dëshmi e fortë pse shqiptarët nuk kanë as besim, as arsye për t’i besuar drejtësisë së Serbisë”.
Mustafi thotë se pas viteve të punës së palodhshme në Austri, Safet Demiri vendosi të investojë në vendlindjen e tij, në Banjën e Sijarinës, duke ndërtuar një kompleks hotelerie. Gjë që rigjeneronte ekonomikisht këtë venbanim e do të krijonte mundësi të shumta pune për komunitetet në Medvegjë. Por ëndrra e tij u shkatërrua kur adresa e tij u pasivizua, duke ndaluar projektin dhe ekspozuar barrierat sistematike që përballen shqiptarët në Luginë.
“Adresën që dorëzuesi ka denoncuar nuk është qendra e aktiviteteve jetësore” (Адреса коју подносилац пријављује није центар његових животних активности), deklaruan autoritetet. Dhe Gjykata Kushtetuese, pa iu dridhur dora, e mbështeti këtë vendim duke deklaruar se “kufizimi i lirisë së vendbanimit ishte i justifikuar dhe proporcional për qëllim legjitim që dëshirohet të arrihet në një shoqëri demokratike”. Por pyetja mbetet: Cila shoqëri demokratike pasivizon adresat? Cila shoqëri demokratike diskriminon? Dhe në cilën shoqëri demokratike krijojnë pengesa për qytetarët që duan të kontribuojnë për vendin e tyre? Kjo nuk është asgjë tjetër, përveç një mekanizëm i padrejtë që dëmton zhvillimin dhe thellon diskriminimin sistematik”, shkruan Mustafi.
Më shumë se 6,000 shqiptarë u janë pasivizuar adresat, sipas raporteve të OJQ-ve. Çdo rast përfaqëson një përpjekje për t’i privuar shqiptarët nga identiteti dhe ekzistenca juridike. “Lëvizja e lirë nuk është apsolute”, argumentojnë gjykatat, por kur kjo justifikon përjashtimin dhe jo barazinë, si metodë perfide e shtypjes për të mohur.
“Historia e Safet Demirit është rikujtim se aparteidi ndaj shqiptarëve të Luginës është i përligjur, se “spastrimi etnik me mjete administrative” është metodë, se Serbia shqiptarët nuk i do as edhe kur investojnë për zhvillim, se qëllimi është i qartë – vatra pa shqiptarët nuk është vend i tyne, se liria – barazi e drejtësia janë të pa arritshme për Safetin e mbi 6 mijë safeta tjerë në heshtje. Por, njëkohësisht është edhe thirrje për ndërgjegjësimin ndërkombëtar. Serbia po i largon shqiptarët nga trojet e tyre jo vetëm me forcë, por me politika të paramenduara e të fshehta. Kjo nuk është drejtësi. Kjo është represion”, shkruan Mustafi në Facebook