Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit.
Tërnava tha se nesër fillon muaji i bekuar Ramazan, muaji i agjërimit, i mirësisë dhe i faljes.
“Çdo vit, të gjithë ne e presim këtë muaj me padurim, ngase Zoti na ka nderuar me të. Është muaj në të cilin me të madhe përçohen mesazhe urimi e përgëzimi, është muaj i lutjeve dhe adhurimeve, ku shtohen dashuria për fenë dhe Zotin, muaj me mirësi dhe begati më të shumta seç dikush mund t’i numërojë”, ka thënë Tërnava.
Myftiu ka shtuar se në çdo Ramazan, ne mbushemi me më shumë shpresë e dhembshuri, ngase ky është një muaj i bujarisë dhe mirësisë, një muaj madhështor në të cilin përkushtimi dhe devotshmëria shtohen dhe besimtarët ndjejnë gëzim edhe më të madh në zemrat dhe shpirtrat e tyre, muaj i cili edhe më shumë na bashkon dhe na e forcon unitetin ndërmjet nesh.
“Ramazani vjen për t’i rikthyer shpirtrat e uritur në tryezën e Mëshirëplotit, për të futur mëshirë dhe devotshmëri në zemra, për të forcuar krijesën njeri me durim, qëndresë, vullnet, bujari e vendosmëri, për t’i rrënjosur në kraharorët e fëmijëve tanë dashurinë, bindjen dhe besimin në Zotin e Madhëruar”, u shpreh Tërnava.
“Është muaj i agjërimit që konsiderohet një nga pesë shtyllat e Islamit, pasi besimtarët abstenojnë nga ushqimi dhe pija dhe qëndrojnë larg nga gjërat e ndaluara nga agimi deri në perëndim. Agjërimi është një adhurim specifik që bëhet vetëm për Zotin xh.sh., është një nga veprimet më të mëdha të afërsisë, është praktikë e të drejtëve dhe simbol i të devotshmëve, pastron shpirtin dhe përsosë karakterin, është shkolla e devotshmërisë dhe vendbanimi i udhëzimit. Kushdo që hyn në këtë muaj me qëllim të sinqertë dhe duke e ndjekur rrugën e drejtë, do të dalë prej tij me një dëshmi të drejtë dhe do të jetë me të shpërblyerit në këtë dhe në botën tjetër”, tha ai.
Tërnava ftoj besimtarët kudo që janë, që këtij muaji të bekuar t’i përkushtohen me bindje, adhurim, sinqeritet dhe solidaritet, duke i ruajtur e kultivuar lidhjet familjare dhe duke e shtrirë dorën e ndihmës ndaj të varfërve dhe skamnorëve, duke thirrur në forcim të unitetit dhe vëllazërisë dhe duke refuzuar të gjitha format e ndasisë dhe përçarjes ndërmjet vete.
“Përmbajuni porosive të Zotit xh.sh. dhe të Muhamedit a.s., të dijetarëve të mirëfilltë dhe institucioneve fetare islame në shtetin tonë, e mos i kushtoni vëmendje thirrjeve devijuese nga njerëz të papërgjegjshëm e të pandërgjegjshëm”, tha ai.
Myftiu theksoi se njerëzit në nevojë janë amaneti i Zotit mbi supet tona, dhe se të njëjtit nuk duhet privuar nga të drejtat e tyre në pasurinë tonë që Zoti na e dhuroi.
“Lutemi që i Plotfuqishmi ta pranojë agjërimin dhe lutjet tona, t’i japë kombit, shtetit e fesë sonë, siguri dhe stabilitet! Lutemi që konfliktet, luftërat dhe gjakderdhja ndërmjet njerëzve pa dallim race, ngjyre, feje apo kombi, të marrin fund” , tha Tërnava. /Telegrafi/