Policia Rajonale e Ferizajt ka ndaluar sot katër persona në Ferizaj, tre të kërkuar për rastin “Vrasje e mbetur në tentativë dhe pjesëmarrje në rrahje” dhe një person i kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar.
Rasti kishte ndodhur me datën 17.10.2023 në një lokal në qendrën “The Village Shopping & Fun” ku kishte pasë të shtëna me armë të zjarrit.
“Me datën 03.05.2024 rreth orës 23:43 ekipe të policisë së Njësisë së Reagimit të Shpejtë (NJRSH) dhe të Njësisë së Narkotikëve në rrugën ” Astrit Bytyqi” në Ferizaj kanë ndaluar një veturë Audi me targa të Maqedonisë së Veriut”.
“Gjatë legjitimit të personave dhe kontrollimit të veturës janë gjetur tri armë zjarri ( pistoleta) dhe sasi e municionit. Ndërsa katër persona janë shoqëruar në stacionin e policisë, konkretisht në Sektorin Rajonal të Hetimeve me dyshimin si persona të kërkuar, të përfshirë në raste kriminale, ndërsa tre nga ta kanë prezantuar dokumente identifikimi të rrejshme”.
Më tej, policia bëri të ditur se gjatë verifikimit të personave, të cilët të gjithë janë me shtetësi maqedonase, të njëjtit kanë rezultuar se ishin të kërkuar për rastin në Ferizaj i cili kishte ndodhur më 10 tetor 2023.
“Të dyshuarit pas intervistimit nga hetuesit rajonal, me vendim të prokurorit të shtetit janë ndaluar në mbajtje për 48 orë për procedura tjera hetimore dhe procedura tjera për ekstradimin e personit të kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar”, thuhet në njoftim