Teksa lufta Rusi-Ukrainë po vazhdon, të dhënat e reja zbulojnë se Franca po rrit në heshtje pagesat e gazit për Rusinë, edhe pse presidenti Emmanuel Macron pozicionohet si një nga mbrojtësit më të vendosur të Ukrainës.
Bëhet e ditur se vetëm në tre muajt e parë të këtij viti, dërgesat ruse të gazit në Francë janë rritur më shumë se në çdo vend tjetër në BE.
Në total, Parisi i ka paguar Kremlinit mbi 600 milionë euro për furnizimet me gaz që nga fillimi i vitit, shkruan Politico, përcjell Telegrafi.
E debati për gazin rus vjen ndërsa Komisioni Evropian fillon përgatitjet për një paketë tjetër sanksionesh kundër Rusisë, e 14-ta me radhë, në të cilën gazi nuk ka gjasa të përfshihet, pavarësisht kërkesave të përsëritura nga vendet baltike dhe Polonia.
Një prej çështjeve kryesore në të cilat BE-ja do të fokusohet janë kontratat afatgjata të vendeve evropiane me kompanitë ruse, si rasti i Francës. Kjo pasi këto marrëveshje po detyrojnë vendet të paguajnë edhe nëse ndalojnë blerjet nga Rusia.