Për shkak se prokurori special Burim Çerkini, i cili zëvendësoi prokuroren e çështjes Merita Bina-Rugova, nuk ishte i gatshëm të bëjë elaborimin e provave materiale, është ndërprerë seanca e së mërkurës ndaj Enver Sekiraqës, i cili po akuzohet për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës.
Në fillim të seancës, prokurori Çerkini tha se pasi që është për herë të parë në këtë shqyrtim gjyqësor, ku është duke e zëvendësuar prokuroren e rastit Merita Bina-Rugova, e cila është e ngarkuar me këtë çështje, duke u bazuar nga procesverbali i seancës së kaluar, Prokuroria Speciale e ka marrë për obligim t’i listojë provat materiale, e që do të ishin të dobishme për këtë shqyrtim gjyqësor, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Tutje, prokurori Çerkini ka thënë se e posedon një listim të bërë nga prokuroja e rastit Bina-Rugova, dhe si Prokurori Speciale konsiderojnë se këto prova materiale të cilat janë të listuara në këtë listë, janë të dobishme për sqarimin e kësaj çështjeje penale në tërësi.
Sipas tij është një listë tepër e gjatë, e cila është nxjerrë nga provat e aktakuzës, ndërsa e njëjta nga ana e gjykatës iu dorëzua mbrojtjes.
Kryetari i trupit gjykues, Agim Kuçi tha se njëra nga seancat gjyqësore të mëhershme me kërkesë të prokurores Bina-Rugova, është shtyrë me arsyetimin se e njëjta duhet të përgatitet për elaborimin e secilës provë materiale se çka vërtetohet me atë provë.
Në pyetjen e gjykatësit Kuçi drejtuar prokurorit se a është i gatshëm të bëjë elaborimin e secilës provë materiale, prokurori Çerkini e mohoi këtë gjë, me arsyetimin se sot kishte marrë nga prokuroja e rastit këtë listë të provave materiale dhe sigurisht nuk janë të gatshëm që të elaborojnë secilën provë një nga një.
Ai tha se kjo është bërë me qëllim që edhe pala mbrojtëse të njoftohet me provat e prezantuara nga Prokuroria Speciale dhe pasi është seancë e rigjykimit, kuptohet fakti që është trupi i ri gjykues dhe sipas tij, nëse për palën mbrojtëse janë të njohura të gjitha këto prova të listuar dhe do të bëhej kalimi i tyre pa elaborim, atëherë do të ishin të gatshëm të kalojnë në fazën tjetër të procedurës.
Prokuroi ka sqaruar se në bazë të njohurive të tij, këto prova të listuara janë vetëm provat e propozuara në aktakuzë.
Për këtë, mbrojtësja e të akuzuarit Sekiraqa, avokatja Kosovare Kelmendi deklaroi se është mëse e nevojshme kjo listë e prezantuar të mos shkojë për t’u administruar pa u elaboruar një nga një secila provë në këtë listë se çfarë do të vërtetojë në raport me objektin e aktakuzës.
Tutje, tha se vëren se prokurorja ka listuar edhe dosje të disa çështjeve tjera penale, për të cilat e njëjta ka menduar se janë administruar si prova, e që në fakt nuk janë administruar asnjëherë por që prokurori i EULEXI-it me rastin e përpilimit të aktakuzës i përmend apo i elaboron në aktakuzë, për të fuqizuar motivin e të akuzuarit në këtë çështje penale.
Prandaj, e njëjta ka thënë se për një vendim të drejtë, është e domosdoshme që të elaborohet secila provë e listuar dhe të ketë edhe mundësinë e kundërshtimit nga mbrojtja.
Tutje, avokatja Kelmendi rikujtoi sugjerimin e Gjykatës së Apelit për dytën herë me radhë të ushtrohet kujdes i veçantë ndaj dy provave materiale, e që janë provat e siguruara në bastisjen e lokalit “Sekiraqa” dhe hartografi të disa numrave telefonik të nxjerra në vitin 2016.
Avokatja Kelmendi në fund tha se pajtohet plotësisht me prokurorin Çerkini që nuk është në gjendje të elaborojë provat e prezantuara, e sidomos këto dy të lartcekura që janë vërejte e Gjykatës së Apelit.
Fjalët e të mbrojturës së tij, avokates Kelmendi, i ka përkrahur në tërësi i akuzuari Sekiraqa.
Më pas, gjykatësi Kuçi tha se pasi që edhe arsyeja për shtyrjen e mëhershme të shqyrtimit gjyqësor ka qenë me kërkesë të prokurores speciale Bina-Rugova me qëllim të përgatitjes për elaborimin e provave materiale, e pasi që prokurori special i ri në këtë rast nuk është në gjendje të bëjë elaborimin e të njëjtave, pas marrjes së mendimit të avokates mbrojtëse dhe të të akuzuarit lidhur me këtë çështjem trupi gjykues konstaton se nuk ka kushte për vazhdimin e mëtejmë të këtij shqyrtimi gjyqësor dhe mori aktvendim me të cilin ndërpritet shqyrtimi i sotëm gjyqësor.
Seanca e radhës u caktua për 29 shtator 2023.
Ndryshe, në këtë seancë, u konsideruan të lexuara deklaratat e disa dëshmitarëve.
Babai i Triumf Rizës mungon në seancë për shkak të përvjetorit të vrasjes së të birit
Prishtinë- I dëmtuari Shefet Riza, babai i tani të ndjerit Triumf Riza, mungoi në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku Enver Sekiraqa po akuzohet për nxitje të vrasjes së Rizës, me arsyetimin se në po këtë ditë është përvjetori i vrasjes së Triumfit.
Për këtë, gjyqtari Agim Kuçi tha se para fillimit të këtij shqyrtimi gjyqësor, përmes telefonit i dëmtuari Shefqet Riza, e ka njoftuar gjykatën se nuk mund të marrë pjesë në seancë, për shkak të përvjetorit të vrasje së djalit të tij, Triumfit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Në sallë mungon i dëmtuari Shefqet Riza, i cili para fillimi të këtij shqyrtimi gjyqësor përmes telefonit e ka njoftuar gjykatën se i njëjti nuk mund të marrë pjesë në shqyrtimin e sotëm, pasi që është përvjetori i vrasjes së djalit të tij- Triumf Rizës”, tha gjykatësi.
Kujtojmë se seanca e 2 majit, ajo e 15 majit, si dhe seanca e 6 korrikut 2023, kanë qenë të mbyllura për publikun.
Ndryshe, edhe në seancën e 27 tetorit 2022, ishte mbyllur për publikun dëshmia e Adelina, Ema dhe Zanfina Ismailit, të cilat do të dërgjoheshin përmes video-lidhjes.
Gjykata Themelore në Prishtinë, për herë të dytë më 16 shtator 2019, e kishte shpallur fajtor Enver Sekiraqën për nxitje në vrasjen e ish-policit Triumf Riza dhe i kishte shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 30 vitesh.
Mirëpo, Gjykata e Apelit më 6 mars 2020, kishte vendosur të aprovojë ankesën e mbrojtjes së Sekiraqës duke e kthyer rastin për të dytën herë në rigjykim, pasi sipas Apelit aktgjykimi i shkallës së parë ishte marrë me shkelje të dispozitave të procedurës penale.
Sekiraqa për të njëjtin rast ishte dënuar edhe më 17 maj 2016, për dy vepra penale për “nxitje në kryerje të vrasjes së rëndë” dhe për veprën “detyrimi” me dënim unik prej 37 viteve burgim, kurse ishte liruar për veprën penale “dhunimi”.
Gjykata e Apelit, më 24 tetor 2017, kishte mbajtur një seancë dëgjimore lidhur me caktimin e masës së sigurisë ndaj Enver Sekiraqës, pasi e njëjta gjykatë më 19 tetor, në orët e mbrëmjes, e kishte liruar nga paraburgimi atë dhe ndaj tij kishte shqiptuar masën e arrestit shtëpiak.
Për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj tij, kishin votuar tri gjykatëset e Apelit, dy nga radhët e EULEX-it, Elka Ermenkova dhe Anna Adamska-Gallant, si dhe gjykatësja vendore Mejreme Memaj.
Por, kjo gjykatë, pas vetëm dy ditësh, kishte vendosur që sërish ta rikthej në paraburgim, Enver Sekiraqën dhe për këtë, shkak ishte bërë një fotografi e publikuar në rrjetin social, nga miqtë që e kishin vizituar atë pas lirimit nga paraburgimi.
Me këtë, gjykata e shkallës së dytë, kishte vlerësuar se Enver Sekiraqa ka shkelur masën e arrestit shtëpiak, që i ishte caktuar.
Ndryshe, në seancën e Gjykatës së Apelit, e cila ishte mbajtur më 6 shtator 2017, ku ishin shqyrtuar pretendimet ankimore të palëve, Enver Sekiraqa, kishte kërkuar që të lirohet nga paraburgimi dhe të mbrohet në liri.
E si garancion për lirimin e tij, Sekiraqa kishte ofruar pasurinë e tij, përfshirë shtëpinë, lokalin dhe një shumë parash, të cilat kishte thënë se do t’i mblidhte me ndihmën e familjes.
Prokurorja ndërkombëtare e Prokurorisë së Apelit, Anca Stan, në seancën e 6 shtatorit të kolegjit të Apelit, kishte deklaruar se përveç pretendimeve në ankesë nuk kishte çfarë të shtonte tjetër, por e njëjta kishte thënë se kërkesa e palës mbrojtëse që të përjashtohen disa nga provat kruciale janë të gabuara.
Në prill të vitit 2014, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Enver Sekiraqës për tri vepra penale, për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, “detyrim” dhe “dhunim”, ku për këtë të fundit, gjykata e shkallës së parë e kishte shpallur të pafajshëm.
Prokuroria pretendon se incidenti i ndodhur në “Swiss Casino” në mes të Sekiraqës dhe Rizës ishte njëri nga motivet që çuan në vrasjen e Triumf Rizës.
Incidenti në “Swiss Casino”, kishte ndodhur në dhjetorin e vitit 2006, ndërsa në të ishin të përfshirë Enver Sekiraqa dhe disa shoqërues të tij në njërën anë, dhe i ndjeri Triumf Riza e Arben Selmani në anën tjetër. Në këtë incident i plagosur rëndë kishte mbetur Arben Selmani.
Triumf Riza u vra më 30 gusht të vitit 2007, vrasje për të cilën Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg, ndërsa Enver Sekiraqa ishte dënuar me 37 vjet burgim.
Ndryshe, lidhur me rastin e vrasjes së Triumf Rizës, më 16 korrik 2023 është arrestuar edhe i dyshuari Ilir Avdullahu, i cili gjendet në paraburgim.


























