KFOR ka njoftuar se është bërë ndërrimi i kontingjentit të Moldavisë.
Koloneli Rocco Mundo, komandant i Komandës Rajonale në Perëndim të misionit të udhëhequr nga NATO, KFOR, ka kryesuar ceremoninë e ndërrimit të kontingjentit të Moldavisë, të mbajtur në kampin “Villaggio Italia” në Pejë.
Sipas njoftimit të KFOR-it, koloneli Mundo ka shprehur vlerësimin e tij për ushtrinë moldaviane për “nivelet e larta të gatishmërisë dhe profesionalizmit të demonstruar në misionin Joint Enterprise”.
Ushtarët e Ushtrisë Moldaviane u nderuan me medalje në shenjë mirënjohjeje për përkushtimin dhe shërbimin e tyre të shkëlqyer.
KFOR-i rikujtoi se punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë.