Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar opinionin publik se ka ndërruar jetë gruaja nga Graçanica, e cila u raportua se u rrah nga bashkëshorti para dy ditësh, transmeton KossovaPost.
Sipas njoftimit të prokurorisë, rasti ishte iniciuar si “Dhunë në familje” dhe “Lëndim i rëndë trupor”, ku për të dyshuarin prokuroria ka lëshuar aktvendim mbi ndalim, në kohëzgjatje prej 48 orësh.
“Në kohën kur i njëjti ka qenë nën këtë masë, e ndjera (viktima) ka ndërruar jetë, andaj rasti është deleguar për trajtim në Departamentin për Krime të Rënda të kësaj Prokurorie, si dhe është ri-kualifikuar ‘Vrasje e rëndë’”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Tutje, kjo e fundit njofton se Prokurori i Shtetit, ka lëshuar urdhëresë për autopsi për të ndjerën, si dhe ka paraqitur kërkesë për caktim të masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit, në gjykatën kompetente.
“Në koordinim të plotë me policinë dhe njësitë relevante janë duke u ndërmarrë veprime hetimore karshi këtij rasti”, thuhet tutje në njoftimin e prokurorisë.