Disa vatra zjarri janë aktivizuar në rajonin e Prishtinës gjatë së mërkurës.
Malë Gashi nga Brigada e Zjarrfikësve në Prishtinë ka thënë për se rasti më i rëndë është regjistruar pranë shkollës “Hilmi Rakovica”, ku ka pasur rrezik edhe për djegie të shtëpive.
“Kemi pasur disa zjarre në kryeqytet, më së keqi te shkolla ‘Hilmi Rakovica’, janë rreziku edhe shtëpitë por reagimi ka qenë i shpejtë, nuk ka zjarr më atje është shuar”, ka thënë ai.
Rastet e tjera janë raportuar në disa fshatra, si Kozarica, Mareci e Vragolia.
“Zjarre gjatë tërë ditës ka pasur edhe në Kozaricë, ndërsa tani po dërgojmë ekipe edhe në fshatin Marec dhe në Vragoli të Fushë-Kosovës. Në Kozaricë një objekt ndihmës (pleme) është përfshirë nga flakët. Një ekip kujdestar duhet të qëndrojë atje deri në fikjen e zjarrit, pasi ka rrezik të përhapet”, ka shtuar ai.
Një ekip i Prishtinës është dërguar edhe në Pakashticë të Podujevës për t’iu ndihmuar zjarrfikësve atje.
Gashi ka thënë se nuk ka personel të mjaftueshëm për të dalë në terren, teksa mjetet për intervenim janë të vjetra.
“Nuk kemi ekipe të mjaftueshme për intervenim. Është dashur të mobilizohemi, më së keqi jemi për personel dhe automjetet janë të stërvjetëruara. Këto ditë po mobilizohemi me kolegët, duke dalë në punë jashtë orarit”, ka deklaruar ai.