Flamuri i KosovësKur është në pyetje Kosova, të gjitha grupet kriminale të Serbisë bëhen bashkë
Analisti politik, Rexhep Elezaj, duke komentuar sulmin terrorist në veri të Kosovës, thotë se të gjitha ato përgatitje dhe armatim, flasin qartë se ky grup i kishte të gjitha tiparet e një grupi terrorist ndërkombëtar, siç ka qenë; Isis, Al-Qaida, Wagner.
Sipas tij, në Serbi dihet botërisht, se krimi i organizuar dhe aktiviteti i grupeve kriminale është dhe bëhet nën mbikëqyrjen e shtetit.
Derisa thekson se, kur është në pyetje Kosova, të gjitha grupet kriminale të Serbisë bëhen bashkë, me qëllim destabilizimin e vendit.
“Sulmi i grupit terrorist serb ndaj policisë së Kosovës në ora 03:30 të mëngjesit të dielën, pra me 24.09.2023, armatimi i madh që u zbulua dhe u konfiskua, si dhe dhjetëra makina të shtrenjta me pajisje të llojllojshme ushtarake dhe logjistike, pastaj koha dhe vendi që kishin zgjedhur për sulm ndaj policisë tonë, flasin qartë se gjitha këto përgatitje të orkestruara mirë në disa qendra ushtarake në Rashkë dhe Kopaonik, se ky grup kriminal i kishte të gjitha tiparet e një grupi terrorist ndërkombëtar, siç ka qenë; Isis, Al-Qaida, Wagner, etj. Kjo për faktin, sepse në Serbi dihet botërisht, se krimi i organizuar dhe aktiviteti i grupeve kriminale është dhe bëhet nën mbikëqyrjen e shtetit, siç janë aferat korruptive, veprimet e grupeve të simpatizantëve të “flaktë” të futbollit të cilat janë të ngarkuara për frikësim dhe nxitje të dhunës kudo që marrin pjesë, siç ishte rasti në ndeshjen e futbollit mes Kosovës dhe Rumanisë, në të cilën këto grupe simpatizantësh shpalosën pankartën me shkrimin; “Kosova është Serbi”, etj., mbase të gjitha këto grupe kriminale janë të lidhura ngushtë me grupin kriminal të Velko Belivukut, me dy biznesmenët (kriminelët) nga Kosova, Zvonko Veselinoviçin dhe Milan Radojçoqin, po ashtu me kriminalin serb Milorad Ulemek Legijan, me Luba Zemuncin, si dhe shumë të tjerë, të cilët kur është Kosova në pyetje, që të gjithë bëhen një dhe bashkëpunojnë me njëri tjetrin, me qëllim që sa më shumë ta destabilizojnë Kosovën përmes akteve kriminale në veri, siç ishte edhe sulmi terrorist ndaj policisë së Kosovës”, deklaron ai./bs
























