Është nënshkruar memorandumi i mirëkuptimit për projektin e ri të Ambasadës së Britanisë së Madhe, i cili ka për qëllim luftimin e krimit të organizuar, korrupsionit, e po ashtu të ofrojë më shumë siguri për qytetarët e vendit.
Pjesëmarrës në këtë ceremoni ishin edhe ambasadori i Britanisë, Jonathan Hargreaves, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Gazmend Hoxha, kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Ardian Hajdaraj, të cilët u zotuan se do të punojnë bashkë për zbatimin e këtij memorandumi.
Kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Ardian Hajdaraj e ka vlerësuar të rëndësishëm këtë projekt. Ai ka thënë se ky bashkëpunim do të forcojë kapacitetet për të hetuar veprat më komplekse.
“Po pajtohemi dhe po bashkëpunojmë në hartimin e aktit nënligjor me ekipe të përbashkëta hetimore multidisciplinare ekipe këto të cilat do të themelohen për të siguruar hetime më efikase të veprave penale komplekse të cilat janë në kompetencën e Prokurorisë Speciale duke përfshirë mbështetjen e departamentit të sapo formuar për inteligjencë dhe analizë. Duhet të shpreh falënderime për mbështetjen e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar dhe Irlandës së Veriut përfaqësuar nga ambasada britanike në Prishtinë për mbështetjen e vazhdueshme në forcimin e kapaciteteve të sistemit prokurorial në përgjithësi e në veçanti prokurorisë speciale”, ka thënë ai.
Ambasadori britanik, Jonathan Hargreaves është shprehur i lumtur me arritjen e këtij bashkëpunimi. Ai ka deklaruar se do të luftohet edhe shpëlarja e parave dhe korrupsionit. Ambasadori ka thënë se do të punojnë qe Kosova të jetë një vend i qetë për gjithë qytetarët.
Kryeprokurori i Shtetit, Besim Kelmendi po ashtu ka thënë se implementimi i këtij memorandumi do të jetë në interes për të mirën e të gjithë qytetarëve të vendit. Kurse, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, ka thënë se janë optimistë se objektivat e projektit do të arrihen me sukses.
E drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha është zotuar që kjo marrëveshje do të zotohet në tërësi.