Ramush Haradinaj pozon me Richard Grenell, një lobues pro-serb me lidhje ruse. A është ky një aleat për Kosovën apo një kërcënim i fshehur?
Shkruan: VUDI XHYMSHITI
Ish-kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, është përballur sërish me vëmendje mediatike, pasi si figura kryesore e partise së tij AAK, ai synon të rikthehet në postin e kryeministrit të vendit. Në vitet e fundit, ai ka theksuar shpesh se “Kosova mund të bëhet me miq,” por pyetja që ngrihet është: me çfarë miqsh?
Së pari, duhet theksuar qartë: Kosova ekziston. Nuk ka nevojë të “bëhet,” por ajo mund të shitet, nëse qytetarët e saj vendosin të votojnë për ata që e kanë plaçkitur vendin për dy dekada me radhë. Kjo zgjedhje, siç e kam theksuar shpesh, nuk është thjesht një veprim elektoral, por një akt me pasoja të gjëra për tër ardhmen e Republikës.
Për ata që nuk më njohin, jam një gazetar i pavarur me 18 vite përvojë në mbulimin e konflikteve të armatosura dhe të tensioneve politike, me fokus të veçantë në të drejtat njeriut, liritë civile dhe politikat globale të sigurisë kombëtare. Punimet e mia janë botuar gjerësisht në media të njohura si The New York Times, TIME Magazine, The Guardian, The Times, BBC, Der Spiegel, DW dhe të tjera. Prej vitit 2010 kam vepruar si gazetar i pavarur. Që kur kam filluar të raportoj në Kosovë me fokus të veçantë nga fundi i vitit 2022 — i kam mbështetur hulumtimet dhe raportimet e mia kryesisht nga financimet personale dhe të lexuesve abonues. Kjo qasje më mundëson të flas të vërtetën pa frikë. Por, për ta vazhduar këtë rrugë, mbështetja juaj është jetike. Një abonim i thjeshtë prej 5 eurosh në muaj në platformën time do të më ndihmonte të zgjerojë ekipin dhe ndikimin tim gazetaresk. Ju lutem, më ndihmoni. — Vudi Xhymshiti
Takimi Haradinaj-Grenell: Diplomaci apo Agjendë e Dyshimtë për Kosovën?
Fotografi të ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj(djathtas), i cili shihet duke takuar Richard Grenell (majtas), një figurë kontraverse dhe ish-ambasador i SHBA-së. Takimi ka ngjallur diskutime të shumta për lidhjet dhe ndikimet e mundshme në politikën rajonale dhe atë ndërkombëtare.
Këtë javë që po e lëmë pas, një fotografi e z. Haradinaj qarkulloi gjerësisht në internet. Kush ishte njeriu përballë tij? Nuk ka dyshim se dukej si Richard Grenell.
Pyetja që duhet t’i bëjmë vetes është: Çfarë po përpiqet të na thotë z. Haradinaj?
Që ai ka miqësi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës? Apo, më keq akoma, që ai është mik i një lobuesi amerikan pro-serb, gjithashtu i lidhur me paratë e Putinit.
Richard Grenell është një figurë kontraverse, dhe këtë e them me siguri duke u mbështetur në hulumtimet e mia gazetareske. Në vitin 2023, një hulumtim që unë e kam udhëhequr raportuam se Grenell ishte përjashtuar1 nga Gjermania gjatë mandatit të tij si diplomat i SHBA-së në Berlin2. Arsyeja? Shërbimi informativ gjerman (BND) besonte se Grenell ishte i përshirë me partinë e ekstremit të djathtë, AFD. Më vonë, Der Spiegel raportoi3 se AFD financohej nga para me origjinë ruse dhe që doktrina e saj politike kishte gjurmë nga Kina. Një hulumtim nga The Washington Post4 zbuloi gjithashtu se Grenell u pagua nga një fondacion hungarez, i lidhur ngushtë me interesat shtetërore dhe agjendën politike të Kremlinit.
Grenell ka qenë i lidhur edhe me Moldavinë, sipas një hulumtimi nga ProPublica5, ku zbulohet se ai mori pagesa nga politikani moldav pro-rus Vladimir Plahotniuc, i cili synonte rrëzimin e qeverisë pro-perëndimore në Moldavi. Grenell, punoi për Plahotniuc edhe pse ai ishte në listën e zezë të thesarit të DASH6. Përtej kësaj, është e mirëdokumentuar se Grenell ka lobuar për interesat e Serbisë në rajon dhe, veçanërisht, për destabilizimin e çdo qeverie ose subjekti politik që sfidon interesat serbe në Kosovë. Grenell ishte njeriu që e përmbyti qeverinë Kurti-Hoti në vitin 2020.
Në vitin 2023, një muaj e një ditë pasi Serbia e sulmoi veriun e Kosovës, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuqiç, dekoroi ish-emisarin amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, me “Urdhrin e Flamurit të Serbisë” për, siç u shpreh Vuqiç, “shërbime të dalluara në zhvillimin dhe forcimin e bashkëpunimit paqësor dhe marrëdhënieve mes Serbisë dhe SHBA-së”7. Vuçiç, i cili ka shërbyer si ministër i propagandës në regjimin e Sllobodan Millosheviçit – një regjim përgjegjës për krimet dhe gjenocidin kundër shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës së fundit 25 vite më parë, deklaroi se Grenell ishte një mik i vërtetë i Serbisë. Ai theksoi rolin e Grenell në “përmirësimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe SHBA-së” që, sipas tij, kishte treguar Grenell. Pas pranimit të dekoratës, Grenell e përshkroi këtë nderim si një pasqyrim të vizionit të ish-presidentit Donald Trump për vendosjen e ekonomisë përpara politikës dhe kritikoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, duke thënë se ndërkombëtarët duhet të ushtrojnë presion mbi të për të zbatuar premtimet e Hashim Thaçit. Kjo dekoratë nga Vuqiç, një figurë që ka arsyetuar krimete luftës dhe krimet kundër njerëzimit të Millosheviçit ndaj civilëve shqiptarë, forcon shqetësimet mbi lidhjet dhe agjendat politike të Grenell në rajon.
Richard Grenell, në të majtë, duke pranuar dekoratën ‘Urdhri i Flamurit të Serbisë’ nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuqiç, në të djathtë. Ky moment reflekton vlerësimin e një figure që historikisht ka mbështetur agjenda pro-serbe në rajon, nga një lider i cili dikur ka shërbyer si ministër propagande i regjimit të Milosheviçit, të njohur për krimet kundër njerëzimit në Ballkan, veçanërisht në Kosovë.
Arsyet e lartëshënuara i bëjnë këto lidhje të zt Haradinaj me Grenell të na kumboj si një alarm i trishtueshëm edhe për faktin se z. Haradinaj ishte tejet i shqetësuar kur Republika e Kosovës ushtroi të drejtën e zgjerimit efektiv të sovranitetit të saj në veri të vendit, ndaloi dinarin e Serbisë në Kosovë, strukturat paralele të Serbisë duke i shpartalluar dhe larguar bandat e armatosura të Vuqiçit që synonin një aneksim të stilit rus të të veriut të Kosovës. Publikut dua t’ia kujtoj gjithashtu se vëllau i kandidatit të AAK-së për Kryeministër, Daut Haradinaj8, është në listën e zezë të qeverisë amerikane për përfshirje në krim të organizuar dhe korrupsion.
Richard Grenell, një figurë që ka mbajtur disa pozita të rëndësishme gjatë administratës Trump, duke përfshirë atë të Ambasadorit në Gjermani dhe Drejtorit të Përkohshëm të Inteligjencës Kombëtare, u emërua si i Dërguar Presidencial për Misione të Posaçme për të trajtuar kriza ndërkombëtare në vende si Venezuela dhe Koreja e Veriut9. Në administratën e dytë të Presidentit Trump, Grenell kishte shpresuar të emërohej Sekretar Shteti, por kjo ambicie dështoi pasi agjencia për siguri kombëtare i revokoi lejen e sigurisë pas raportimeve që tregonin për përfshirjen e tij me kundërshtarët e SHBA-së, përfshirë Federatën Ruse dhe interesat e saj. Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se pozitat e tij diplomatike, sado të rëndësishme në një kontekst global, nuk kanë dhënë asnjë tregues të qartë se mund të ndikojnë në politikat në Ballkanin Perëndimor, përveçse nëse ai vazhdon diplomacinë e tij “mercenare” duke punuar për interesa ruso-serbe. Në rajonin tonë, çdo ndërhyrje nga Grenell duket të jetë më shumë rezultat i agjendave personale dhe ndikimeve financiare, sesa një përfaqësim i politikave strategjike të SHBA-së. Kjo e bën të qartë se ndikimi i tij mbetet i kufizuar dhe shpesh i kontestuar.
Për ta përmbyllur këtë shkrim, lexues të dashur, ju bëj thirrje të mendoni me kujdes para se të votoni. Vota juaj është një mjet i fuqishëm që mund të caktojë fatin e Kosovës tonë. A do të zgjidhni ata që preferojnë të shesin dhe të plaçkitin atdheun tonë? Apo do të mbështesni ata që mbrojnë të ardhmen dhe dinjitetin e Republikës së Kosovës? Zgjedhja është e juaja.
Unë nuk do të votoja për figura si z. Haradinaj.
Po ju?