Shtrati i lumit Erenik dhe ai i lumit Trrava janë në gjendje të mjerueshme për shkak të mbeturinave dhe pakujdesisë së banorëve. Banorët dhe autoritetet kërkojnë ndërhyrje urgjente për të ndalur degradimin e mjedisit.
Shtrati i Erenikut është në gjendjen e mjerueshme. Ky lum që përshkon rreth 30 fshatra të Rekës së Keqe, e në të cilin dikur, përveç tjerash, banorët laheshin gjithmonë gjatë verës. Madje Demë Sadiku nga Nivokazi thotë se uji i Erenikut pihej lirisht.
“Vërtet ma merr mendja që kishte me qenë mirë edhe dora e qeverisë direkt me intervenu sepse janë hapësira kaq të mëdha sepse këtu është dëm i konsiderueshëm dëm i pariparueshëm”, tha për RTK, Demë Sadiku, banor nga Nivokazi
Edhe gjendja e lumit Trrava, që përshkon disa fshatra të Komunës së Gjakovës, nuk është aspak më e mirë. Mbeturina nga më të ndryshmet janë hedhur përgjatë gjithë shtratit, duke bërë që ndotja e ambientit në këtë lokalitet të marrë përmasa shqetësuese.
“Tash nuk ka kurrfarë komenti po e shihni edhe ju vet në çfarë gjendje është lumi Trrava, me mbeturina të ndryshme, me kanalizime me çdo gjë, kjo është një tmerr, një pakujdesi e popullatës shumë e madhe. Ju kisha ba lutje mos me u përsërit kjo gjendje me u vetëdijesu vjen Çabrati e ta merr bërllogun në derë të shpisë”, tha Brahim Bajrami.
Zyrtarët e ndërmarrjes për pastrim “Çabrati” thonë se edhe pse janë pastruar Ereniku e të tjerët, gjendja po përsëritet nga pakujdesia e banorëve.
“Këta banorë të këtyre fshatrave ose të pjesëve të qytetit ose në dalje të qytetit përderisa e kanë shërbimin nuk kanë arsye me hudhë mbeturina vend e pavend, përderisa ka shporta të mbeturinave kemi shërbim të rregullt atëherë është e panevojshme me na kriju këso situata”, tha për RTK, Behar Ferizi, kryeshef ekzekutiv i NP “Cabrati”
Zyrtarët e Inspeksionit komunal në Gjakovë thanë se vazhdimisht po ndërmerren masat ndëshkimore kundër keqbërëseve që po e degradojnë ambientin.