Më 2025, Forca e Sigurisë së Kosovës hyn në fazën e tretë të planit dhjetëvjeçar gjithëpërfshirës të tranzicionit, e cila parasheh investime prej qindra miliona eurosh në pajisje ushtarake ajrore dhe tokësore.
Deri në përmbyllje të transformimit, fazë që do të zgjasë së paku pesë vjet, parashihet blerja e helikopterëve të lehtë ushtarak dhe atyre të mesëm transportues, si dhe autoblindave e tankeve.
Pa dhënë detaje për armët dhe pajisjet, të cilat i parasheh plani, Ministria e Mbrojtjes konfirmoi se do të fokusohen në ngritjen e kapaciteteve ajrore.
“Dronët Bajraktar e sistemi OMTASH janë vetëm disa nga pajisjet, të cilat FSK-ja tashmë i ka në dispozicion, përderisa jemi duke vazhduar procesin për blerjen e sistemit Javelin dhe sistemeve të tjera. Pas përfundimit të fazës së dytë të PGJT-së, në vitin 2025 do të fokusohemi në ngritjen e kapaciteteve ajrore, duke përmbyllur kësisoj planin dhjetëvjeçar për të vazhduar pastaj në vazhdimësi investimet konform planeve operacionale të FSK-së, si një Forcë profesionale dhe multietnike”, thuhet në përgjigjen nga Ministria e Mbrojtjes.
Pasi përmendi rëndësinë e koordinimit me SHBA-në, që nga hartimi dhe miratimi i ligjit dhe planit, profesori Mensut Ademi theksoi se, fillimisht, FSK-ja ka ngritur kapacitetet humane.
“Së pari djemtë dhe vajzat tona, të rinj, kanë arritur shkëlqyeshëm të kenë trajnime adekuate për përdorimin e armatimit… Ata janë duke mbajtur dhe arritur trajnime adekuate qoftë në SHBA, Turqi, Britani apo shtete të tjera mike”, tha Ademi.
Armatimi në të cilin do të investojë Kosova, sipas ekspertëve, do të jetë kryesisht për qëllime mbrojtje.
“Armatim për parandalim, paralizim, pengim të pajisjeve apo armatimit që na rrezikon neve, në këtë rast nga Republika e Serbisë. P.sh. ne kemi parë ‘iron-dome’ në Izrael dhe ne kemi shumë mundësi të kemi një të tillë, sepse për momentin rrezikun më të madh nga Serbia, përpos aspektit tokësor, e shohim në atë ajror, e cila është ajo – jo aviacioni, por dronët, sidomos ata kamikazë”, tha Ademi.
“Janë helikopterët, sistemi i dronëve të ndryshëm, sistemi anti-raketor. Janë tri komponentët kryesorë, me të cilët sipas të gjitha gjasave FSK-ja do të përmbyllë në fazën e tretë sa më parë… edhe sistemi anti-dron sipas të gjitha gjasave në fazat në vijim do të jetë në shfrytëzim të strukturave të sigurisë dhe mbrojtjes të Republikës së Kosovës, meqenëse Serbia ka avancuar me sistemet e dronëve”, tha Drizan Shala, ekspert i sigurisë.
Ministria e Mbrojtjes njoftoi se në tri vjetët e fundit janë investuar rreth 200 milionë euro.
Muajin e kaluar, presidentja Vjosa Osmani vizitoi kompaninë e helikopterëve Bell në SHBA, ndërsa kryeministri Albin Kurti fabrikën e dronëve Bajraktar në Turqi.