Në Shtime ka nisur Akademia përkujtimore për të kujtuar viktimat e maskarës së Reçakut. Në këtë akademi po marrin pjesë edhe krerët e shtetit, presidentja Vjosa Osmani e Kryeministri Albin Kurti.
Më 15 janar 1999, në fshatin Reçak u vranë e u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur.
Ish-shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, e pati cilësuar Masakrën në Reçak si krim kundër njerëzimit.
Në orët e hershme të mëngjesit të 15 janarit Reçaku u zgjua i rrethuar. Sipas dëshmitarëve, rreth orës 6:30 forcat serbe me artileri të rëndë kanë filluar të bombardojnë fshatin. Pas ndërprerjes së bombardimeve, forcat serbe janë futur në fshat dhe kanë filluar bastisjet.
Masakra në Reçak tmerroi botën dhe zgjoi ndërgjegjen e diplomacisë botërore duke u mobilizuar për Kosovën.
Tmerret e shkaktuara në fshatin Reçak sollën në vëmendje të gjithë botën e civilizuar dhe shpalosi të vërtetën rreth planit gjenocidal të ish-kriminelit Sllobodan Millosheviq.
Pas Reçakut, çështja e Kosovës do të jetë në një konferencë ndërkombëtare në Rambuje e në Paris, mossuksesi i të cilës do të ndikonte në ndërhyrjen e NATO-së kundër forcave ushtarake serbe, largimin e tyre nga Kosova dhe vendosjen e administratës ndërkombëtare në Kosovë.
Reçaku atëbotë kishte zënë vend në mediat dhe kancelaritë e shteteve më me ndikim në botë. Ish-sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright, e kishte dëgjuar lajmin dhe ishte zgjuar me ankth se ç’do t’i sillnin orët në vijim Kosovës.