Shtëpia botuese “Altera” nga Prizreni sapo e ka nxjerr nga botimi librin “Mjekësia e bjeshkatarisë” të autorit Ibish Ahmeti.;
Ky libër në fakt është një doracak për mbrojtjen e shëndetit të alpinistëve dhe të gjithë të pasionuarve të ecjes në bjeshkë. Libri shtjellon metodat dhe masat teorike e praktike për mbrojtjen e shëndetit të bjeshkatarëve – qoftë kur ata pësojnë lëndime (aksidente) në bjeshkë, qoftë nëse shqetësimet e tyre shëndetësore paraqiten si pasojë e predisponimit gjenetik, përgatitjes fizike e psikike, sëmundjeve paraprake apo të gjendjeve tjera fiziologjike e patologjike, etj.
Shembujt praktikë – të ilustruar me foto dhe skica origjinale, përfshijnë disa disiplina mjekësore si: anatomia, fiziologjia, patofiziologjia, nutricioni, kardiologjia, pulmologjia, neuropsikiatria, traumatologjia, dermatologjia, oftalmologjia dhe farmakologjia, pa përjashtuar këtu edhe pediatrinë, gjinekologjinë dhe diabetologjinë.
Gjatë procesit të hartimit të këtij libri të rrallë, autori ka shfrytëzuar literaturë profesionale nga autorë të huaj dhe vendorë, si dhe ka marrë në shqyrtim njohuritë praktike të bjeshkatarëve me përvojë – siç është edhe vet përvoja e tij si bjeshkatar.
Dr. Ibish Ahmeti (1960) është specialist i pediatrisë. Para këtij libri ka botuar: ditarin e luftës “Duke i shëruar plagët e luftës” dhe librin mjekësor “Doracak i Pediatrisë së përgjithshme”. Që prej vitit 2022 ai merret aktivisht me bjeshkatari dhe me hulumtime nga fusha e mjekësisë alpine dhe e lartësive.