Nëntogerja e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Lirijona Bajraktari, ka zënë vendin e parë në trajnimin ndërkombëtar ushtarak dymujor të organizuar nga Shkolla Ushtarake për Femra “Khawla Military School” në Abu Dhabi, Emiratet e Bashkuara Arabe. Ceremonia përmbyllëse e kursit u mbajt të premten.
Për këtë arritje të Kosovës ka njoftuar Ambasada e Republikës së Kosovës në Abu Dhabi.
“Fotoja e Nëntogerës sonë, Lirijona Bajraktari, teksa pranon çmimin e vendit të parë në kursin dymujor ushtarak në Abu Dhabi, është shpërndarë gjerësisht në mediat shtetërore dhe rrjetet sociale të Emirateve të Bashkuara Arabe. Krenarë me ty, Lirijona!”, është shkruar në Facebook e ambasadës.
Kosova u përfaqësua në këtë aktivitet ndërkombëtar nga tre oficere të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Shkolla ushtarake “Khawla Military School” funksionon nën patronazhin e Sheikha Fatima bint Mubarak, duke promovuar rolin e grave në shërbimin ushtarak në nivel ndërkombëtar.


























