Forca e Sigurisë së Kosovës ka njoftuar se pas një operacioni dhjetëditor kërkim-shpëtimi ka gjetur trupin e pajetë të Jurgen Karajt, i riut të zhdukur në lumin Mat në Shqipëri, transmeton KosovaPost.
Sipas FSK-së, me kërkesë të autoriteteve shqiptare, një kontingjent i specializuar i Kërkim-Shpëtimit nga Regjimenti i Mbrojtjes Civile i Gardës Kombëtare u angazhua në zonën e Klosit për gjetjen e personit të zhdukur.
Komandanti i FSK-së Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, në emrin e tij personal dhe në emër të gjithë personelit të FSK-së, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen dhe të afërmit e viktimës”.
Njëherësh, Komandanti i FSK-së ka falënderuar personelin e angazhuar për përkushtimin, profesionalizmin dhe disiplinën e treguar gjatë përmbushjes së këtij misioni.“Forca e Sigurisë së Kosovës mbetet e përkushtuar në misionin e saj humanitar dhe në forcimin e bashkëpunimit rajonal, gjithmonë në shërbim të jetës, sigurisë dhe mirëqenies së qytetarëve”, shkroi FSK.


























