Paritë opozitare nuk kanë shprehur gatishmëri për vazhdimin e seancës së Kuvendit të Kosovës, ashtu siç propozoi, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
Ai tha se ka folur edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti i cili ka hequr dorë nga mbajtja e fjalimit në Kuvend dhe se seanca të vazhdojë me pyetjet parlamentare.
Në momentin që Konjufca i dha fjalën deputetes së PDK-së, Ganimete Musliu për t’i drejtuar pyetjen ministrin Sveçla, ajo së bashku me disa deputetë tjerë të PDK-së, dolën para foltores, e ma pas ju bashkuan edhe disa deputetë tjerë të LDK-së e AAK-së.
Por, deputetja e PDK-së tha se përpjekja për ta normalizuar situatën është gabim. Ajo pyeti kryeministrin Kurti dhe deputetët e pozitës nëse i përfaqëson Mimoza Kusari-Lila, pas publikimit të audio-incizimeve dhe bisedave me zyrtarët e Listës Serbe përfshirë edhe Radojqiqin.
Ndërsa, nga ulësja e Kuvendit u dëgjua deputeti Mërgim Lushtaku, i cili tha se seanca duhet të ndërpritet.
Edhe Xhavit Haliti kërkoi të mos mbahet seanca.
Edhe shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, tha se nuk sheh mundësi që sot të vazhdohet seanca.
Ndërsa, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bek Berisha, vlerësoi që pas dhunës së sotme në Kuvend, Parlamenti i Kosovës duhet të punojë bashkërisht për t’i diskutuar të gjitha ato që kanë ndodhur.
Mirëpo sipas tij, më herët ka pa pasur situata më ekstreme në Kuvend, krahasuar me ato të sotmet
“Kjo çka ndodhi sot normalisht është e pahijshme. Por, kjo është një lloj metode që e keni praktikuar Vetëvendosje për vite me radhë, ende më ekstreme kanë qenë. Kjo situatë ka qenë e pashmangshme. Deputeti Lushtaku e gjuajti Bislimin me ujë dhe u gjuajtën aty disa “trima”, kinse nuk tolerojnë as këtë lloj demonstrimi, përderisa këtu ka pasur demonstrime ende më të rrezikshme. Besoj që duhet ta gjejmë në si Parlament të punojmë duke I biseduar të gjitha ato që kanë ndodhur”, deklaroi Berisha para deputetëve.


























