Ditët e nxehta të verës po afrohen.
Por fort të nxehta janë edhe kundërshtimet e opozitës ndaj qeverisjes lokale në Prishtinë për menaxhimin e Pishinës së Gërmisë, këtë verë e verën tjetër.
Tentimi për ta marrë në menaxhim pishinën e vetme publike në Kosovë nga një kompani private, ngriti temperaturat në Kuvendin Komunal, raporton Kiks Kosova.
Petrit Reçica, i cili vjen nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, e ka quajtur tinëzare e të vonshme thirrjen e shpallur më 15 maj nga Ndërmarrja Publike Lokale “Sport Marketing”.
Sipas Reçicës, pronat publike që i takojnë qytetarëve të kryeqytetit, qeverisja lokale po insiston që t’ua jepë kompanive private për t’i shfrytëzuar për interesa personale.
E dyshime të mëdha Reçica ka edhe ndaj operatorit ekonomik, “Delice Caffe” me pronësi të sekretarit të degës së III-të të LDK-së në kryeqytet, Shpend Avdyli, i vetmi që kishte aplikuar në thirrjen e bërë për këtë tender, i cili më pas u tërhoq.
Sipas Reçicës, ka pasur forma të tjera që Komuna e Prishtinës ka mundur të investojë në këtë aset dhe jo t’ia japë një kompanie private në menaxhim.
E të paaftë për menaxhim, asamblisti i PDK-së Leutrim Retkoceri, e ka quajtur ndërmarrjen publike lokale “Sport Marketing”.
Sipas tij, e gjithë kjo thirrje e deri te përzgjedhja e operatorit ekonomik privat ka qenë e kurdisur nga pushteti lokal.
Për krejt këto zhvillime, Retkoceri i ka bërë thirrje pushtetit të kryetarit Përparim Rama që të kenë kujdes me vendimet ndaj pronave publike.