Deklaratës së sekretarit amerikan të Shtetit, Marko Rubio se veprimet e presidentit të Republikës Sërpska (RS), Millorad Dodik, përbëjnë kërcënim për sigurinë dhe stabilitetin e Bosnje e Hercegovinës i është bashkuar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Osmani nëpërmjet një postimi në platformën “X” ka thënë se Kosova gjithashtu dënon me forcë çdo veprim që minon themelet e Bosnje-Hercegovinës.
Ajo ka shtuar se angazhimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës mbetet kyç për sigurimin e stabilitetit dhe paqes së qëndrueshme në rajon.
“Ne i bashkohemi deklaratës së Sekretarit Rubio dhe qëndrojmë në solidaritet të plotë me popullin e Bosnjë-Hercegovinës, duke riafirmuar mbështetjen tonë të palëkundur për sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit. Ne gjithashtu dënojmë me forcë çdo veprim që minon themelet e Bosnje-Hercegovinës, pasi kërcënon paqen dhe stabilitetin që rajoni ynë ka punuar pa u lodhur për të arritur – përmes dekadash sakrificash dhe me mbështetjen e palëkundur amerikane. Angazhimi i SHBA-së mbetet parësor për të siguruar që rajoni ynë të ecë drejt stabilitetit dhe paqes së qëndrueshme, si dhe drejt një të ardhmeje euroatlantike. Ne jemi të përkushtuar të punojmë ngushtë me Shtetet e Bashkuara për të arritur këtë qëllim”, ka shkruar Osmani.