Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kanë reaguar ndaj ngjarjes tragjike në një shkollë fillore në Zagreb, duke shprehur ngushëllime dhe solidaritet me familjet dhe komunitetin e prekur, përcjell KosovaPost.
“Nga zemra shprehim ngushëllimet tona më të thella për familjen e vajzës së re që humbi jetën tragjikisht dhe urojmë shërim të shpejtë e të plotë për mësuesin dhe nxënësit e lënduar. Ne qëndrojmë në solidaritet me gjithë komunitetin e prekur nga ky akt i tmerrshëm dhe me popullin e Kroacisë,” ka shkruar presidentja Osmani në platformën X.
Ndërkohë kryeministri Albin Kurti në një deklaratë të publikuar në platformën X, ka shprehur ngushëllime për viktimat dhe familjet e tyre, duke thënë se mendimet e tij janë me ta dhe me popullin kroat në këtë periudhë zie.
“Mendimet tona janë me familjet e viktimave dhe popullin kroat gjatë kësaj periudhe dhimbjeje,” ka shkruar Kurti, duke shprehur solidaritetin e plotë të Kosovës me Kroacinë në këto momente të vështira.
Ngjarja ka tronditur mbarë opinionin publik dhe ka ngjallur reagime të shumta solidariteti nga Kosova dhe rajoni.