Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në adresimin e saj vjetor para Kuvendit të Kosovës tha se Forumi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë është dëshmi e fuqizimit të Kosovës në barazi gjinore e siguri kombëtare.
Tutje, e para e vendit shton se ky Forum jo që hapi vetëm dyert e botës kah Kosova, por po ndihmon edhe në krijimin e një fryme të re për fuqizimin e grave dhe vajzave në të gjithë botën.
“Këtë vit, në zemër të Evropës, në vendin që ka kaluar dhimbjen e luftës dhe ka shndërruar dhimbjen në shpresë, organizuam edicionin e dytë të Forumit ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Me këtë Forum, Kosova jo vetëm që i sjelli sytë e botës kah ne, por po ndihmon në krijimin e një fryme të re për fuqizimin e grave dhe vajzave në të gjithë botën. Mbi 2000 pjesëmarrës dhe më shumë se 100 folës nga mbi 40 vende të botës, të mbledhur në Prishtinë të fokusuar për të bërë zgjidhje globale për gratë dhe vajzat dhe përfshirjen e tyre në procese të paqes dhe sigurisë”, tha e para e vendit, njofton Klankosova.tv.“Si rezultat i këtij angazhimi, Kosova është përzgjedhur nga Zyra e Sekretarit Amerikan të Shtetit si i vetmi vend në Evropë, si dhe një nga tre vendet në mbarë botën për hapjen e qendrës së ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Kjo është një dëshmi e pastër e fuqizimit të Kosovës dhe të angazhimit të saj për të avancuar barazinë gjinore dhe sigurinë ndërkombëtare”.