Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar para mediave se zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, po jep deklarata raciste karshi Kosovës edhe në çështjen e hapjes së Urës së Ibrit.
Osmani ka theksuar se hapja e urës për qarkullim nuk duhet të jetë pjesë e bisedimeve në takimet e procesit të dialogut.
“Sa i përket Bashkimit Evropian deklaratat e zëdhënësit të këtij institucioni janë mbi të gjitha raciste kështu që as nuk besoj që meritojnë më shumë vëmendje nga ana ime. Unë jam deklaurar në raport të atyre deklaratave të tyre raciste nuk ka as një arsye dhe kundërshtoj në çdo mënyrë diskutimin e çështjes së hapjes së Urës së Ibrit në Bruksel”, – deklaroi Osmani.
“Nuk kemi çka e pyesim Serbinë, njësoj sikurse ky zëdhënësi më duket është nga Sllovakia nuk e pyet asnjë nga shtetet fqinje kur e kalon urën e vet. Pra, nuk ka çka pyetet Serbia për një urë brenda territorit të Kosovës, dialog për këtë temë nuk do të duhej të pranonte askush, do të duhej të ishte kundër kushtetuese dhe kundër sovranitetit”, ka pohuar Osmani.
Osmani, ka thënë se Kosova duhet të sigurohet që ura në veri të hapet në atë mënyrë që nuk nxit konflikt me aleatët e vendit e as prani të shtuar të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.
“Ura duhet të hapet patjetër, por ne duhet të sigurohemi që kur të hapet të jetë e hapur përherë, e jo që kur të hapet të nxitë një prezencë shumë më të madhe të NATO-s në të. Ne nuk kemi arsye të jemi në konflikt me aleatët tanë”, ka deklaruar Osmani.