Presidentja Vjosa Osmani është takuar me ministren e Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock, teksa i kërkoi mbështetje për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
“Presidentja Osmani ka kërkuar vazhdimin e mbështetjes gjermane edhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, NATO, BE dhe organizata të tjera ndërkombëtare”, njofton Presidenca e Kosovës.
Në takim, presidentja Osmani theksoi se Gjermania është partner strategjik në aspektin politik, të sigurisë dhe atë ekonomik, ndaj Kosova është mirënjohëse për mbështetjen e vazhdueshme të saj. Ajo ka përmendur edhe integrimin e serbëve në institucionet e Kosovës dhe pengesat që i bën Vuçiq në këtë drejtim.
“Presidentja Osmani ka theksuar se synimi i institucioneve të Kosovës është integrimi i serbëve në shoqëri dhe institucione, porse një gjë e tillë po pengohet nga Serbia dhe presidenti i saj. Në këtë kontekst, presidentja ka potencuar se në procesin e dialogut me Serbinë, Kosova ka treguar përkushtim për t`i adresuar çështjet që janë në interes të qytetarëve dhe të paqes e stabilitetit rajonal”, thuhet në komunikatë.
Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova e ka pranuar marrëveshjen bazike dhe aneksin e Ohrit të propozuar nga Bashkimi Evropian dhe mbështetur nga SHBA-të, ndaj marrëveshja duhet të zbatohet si e plotë.
Ndër të tjera, në këtë takim janë rikonfirmuar marrëdhëniet e mira ndërmjet dy shteteve dhe janë diskutuar mundësitë për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale, duke përshirë angazhimin e përbashkët në përmbushjen e agjendës së gjelbër.